Mesditën e sotme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, zhvilloi një takim me drejtuesit e Drejtorisë Arsimore Tiranë, drejtuesit e shkollave, oficerët e sigurisë në shkolla dhe me nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të Tiranës.
Gjatë takimit, z. Nano dhe të pranishmit diskutuan çështje të rëndësishme të sigurisë së nxënësve dhe studentëve në shkollë dhe në komunitet, si:
٠Siguria e nxënësve dhe krijimi i një ambienti sa më të sigurtë, për të zhvilluar procesin mësimor;
٠Parandalimi i konflikteve midis bashkëmoshatarëve;
٠Parandalimi i fenomeneve negative në shkollë, si droga, duhani dhe alkooli;
٠Fenomenet kibernetike në shkolla;
٠Bashkëpunimi i oficerëve të sigurisë me SPZ-të e rendit, për çdo fenomen negativ, si dhe për çdo problematikë që shfaqet;
٠Angazhimi i nxënësve në fushata sensibilizuese, pasi impakti i tyre është shumë i madh në publik;
٠Roli i Qeverisë së Nxënësve, i Bordit të Prindërve dhe drejtorive të shkollave.
Të gjitha këto çështje përbëjnë prioritete të punës së Policisë së Shtetit, kryesisht të strukturave të rendit dhe të sigurisë, në të gjitha qarqet e vendit.
Në përfundim të këtij takimi, z. Nano falënderoi të gjithë të pranishmit, për pjesëmarrjen, dhe iu drejtua nxënësve në të gjithë vendin, me një mesazh:
“Mësoni dhe vetëm mësoni, mbani afër librin sepse vetëm ai s’do t’ju zhgënjejë e s’do t’ju tradhëtojë asnjëherë, por do t’ju ndihmojë të udhëtoni të sigurtë në rrugën e jetës! Policia e Shtetit do të jetë përherë pranë jush, për t’ju garantuar një ambient sa më të sigurtë në shkollë, në rrugë dhe në shoqërinë ku bëni pjesë.”