I nderuar z. Ministër i Brendshëm,
E nderuar zj. Kryetare e Komisionit për Sigurinë Kombëtare,
I nderuar z. Drejtor i Akademisë, të nderuar pedagogë,
Të nderuar përfaqësues të Policive Partnere,
Të dashur studentë dhe kursantë,
Në emër të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit ju uroj mirëseardhjen në Akademinë e Sigurisë, vendin ku do përfitoni dijet dhe arsimin e duhur, do të forconi personalitetin tuaj me vlerat më të larta shoqërore dhe morale për t’i shërbyer me dinjitet flamurit, atdheut, vendit tuaj.
Kjo e sotmja është një ditë e veçantë për ju, pasi po investoheni ne profesionin e vështirë, por shumë të nderuar e fisnik të punonjësit të Policisë së Shtetit.
Një numër i lartë i të rinjve do të dëshironin të ishin sot këtu mes jush, për t’u arsimuar në Akademinë e Sigurisë, por ju treguat vlera në të gjithë komponentët dhe e kaluat sprovën e parë, duke na treguar që meritoni të jeni pjesë e Policisë së nesërme.
Nëpërmjet një procesi të gjerë e transparent u zhvilluan procedurat e shpalljes, konkurrimit e përzgjedhjes së kandidatëve për vazhdimin e shkollës për studentet e “Bachelor-it”, ashtu edhe ata të “Kolegjit profesional”.
Qeveria po investon fort në formimin profesional të gjeneratës së re të vajzave dhe djemve që aspirojnë të bëhen pjesë në radhët e Policisë së Shtetit. Projekte të tjera të rëndësishme do të zbatohen në këtë Akademi në lidhje me formimin profesional të punonjësve te rinj të Policisë, nëpërmjet përmirësimit të kurrikulave e të gjithë infrastrukturës përkatëse. Për një Polici të pastër, pa elementë të korruptuar dhe më e rëndësishmja tërësisht në shërbim të qytetarëve.
Sot Policia e Shtetit është dukshëm e përmirësuar dhe me fizionomi tërësisht të ndryshuar. Ajo është e përbërë nga një trupë e mirë përzgjedhur, e mirëarsimuar, e mirëtrajnuar, e mirëpaguar dhe me karrierë të bazuar fort në vlera dhe meritokraci.
Këto vlera kanë nevojë të përsosen më tej, në sajë të punës së përkushtuar të vetë njerëzve që shërbejnë e drejtojnë në radhët e Policisë dhe në radhë të parë pedagogëve të nderuar të kësaj Akademie, por dhe falë mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë, përmes misioneve të shumta që asistojnë dhe ndihmojnë Policinë e Shtetit.
Me mbështetjen e gjithanshme të Qeverisë dhe Ministrisë së Brendshme, në sajë të një procesi shumë dimensional reformimi, Akademia e Sigurisë është shndërruar sot në një institucion të rëndësishëm të shkollimit dhe trajnimit policor.
Të dashur studente dhe studentë,
Të jesh punonjës i Policisë së Shtetit, nuk është privilegj, por është mision, është detyrë fisnike dhe e shenjtë. Është përgjegjësi e lartë qytetare, është sakrificë.
Arsyeja thelbësore e ekzistencës së organizatës tonë është shërbimi ndaj publikut.
Ju duhet të punoni fort për t’u bërë pjesë e skuadrës së Policisë së Shtetit në këtë mision të rëndësishëm, duke u arsimuar dhe trajnuar profesionalisht, me qëllim garantimin e sigurisë publike për të gjithë ne, për familjet tuaja, për shqiptarët, për të gjithë ata që ju kanë mbështetur në ëndrrën tuaj për të qenë pjesë e Policisë së Shtetit.
Ju dhe të gjithë ne, duhet t’u shërbejmë qytetarëve me përkushtim e ndershmëri, t’u ofrojmë atyre një shërbim sa më cilësor e të krijojmë një ambient sa më të sigurt shoqëror.
Jam e sigurt që për të gjithë ju, kjo ka qenë ëndrra e jetës, prandaj punoni fort e bëjeni realitet!
Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht në përmbushjen e misionit të saj dhe objektivave prioritare, në garantimin e sigurisë për qytetarët, në luftën pa kompromis ndaj krimit të organizuar dhe krimit në përgjithësi, në forcimin e bashkëpunimit me partnerët, si dhe në forcimin e lidhjeve me aleatin tonë më të çmuar, qytetarët.
Duke ju uruar edhe njëherë suksese në rrugën tuaj të re, e cila do t’ju ndryshojë dhe do t’ju lartësojë jo vetëm në formimin profesional por dhe jetën tuaj, shprehem besimplotë se Policia do të jetë edhe më afte dhe energjike me gjeneratat e reja që do të pasojnë.
Ju faleminderit!