Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Gledis Nano, për prezantimin e buxhetit të vitit 2022

I nderuar zoti Kryeministër,

I nderuar z. Ministër i Brendshëm,

Të nderuar përfaqësues të Komisionit për Sigurinë Kombëtare,

Të nderuar pjesëmarrës,

Buxheti i akorduar për vitin 2022 për programin “Policia e Shtetit” mbështet në tërësi realizimin e objektivave të përcaktuara në strategjitë afatmesme e afatshkurtra dhe strategjitë sektoriale të Policisë, duke siguruar funksionimin normal të aktivitetit të strukturave operacionale.

Shpenzimet e personelit, të cilat rriten me rreth 200 milionë lekë, sigurojnë trajtimin e plotë të punonjësve të Policisë, me paga e shtesat mbi pagë, pagesën e punës në orët e natës, pagesën e mbikohës së punës, trajtimin e veçantë për rreth 1179 punonjës që punojnë jashtë qendrës së banimit, të cilët, duke filluar nga janari 2022, do të marrin shtesë 50 % të pagës aktuale. Për herë të parë këtë shtese do ta përfitojnë dhe punonjësit e rolit bazë me gradën inspektor.

Fondet e miratuara për shpenzime të tjera operative rriten me 9.2% më shumë ose me një shtesë përrreth 200 milionë lekë nga ky vit. Ato janë destinuar kryesisht për të financuar nevojat për kompletimin e punonjësve me elementet e uniformës së re, furnizimin me karburante, mirëmbajtjen e mjeteve te transportit e pajisjeve të Policisë Shkencore e teknologjisë së informacionit.

Prej më shumë se 4 vjet është aplikuar marrja me qira e mjeteve të transportit rrugor (leasing operacional), e cila sot konsiderohet si modeli më efektiv i përdorimit të flotave të makinave për qëllime pune në institucione, nisur nga avantazhet financiare dhe operative, të cilat janë të provuara me kohë. Me buxhetin e vitit 2022 do të financohen kontratat e lidhura dhe synohet rritja e numrit të mjeteve me këtë formë pagese.

Referuar faktit që në vite, Policia e Shtetit, ka rritur shkallën e modernizimit me sisteme e pajisje të nivelit të lartë të inteligjencës, që shërbejnë për shkëmbimin e informacionit, pajisje të gjurmimit e monitorimit në distancë, kryerjen e provave për vendngjarjet, deri te analiza e ADN-së, buxheti do të sigurojë financimin e mirëmbajtjes e riparimit të vazhdueshëm të këtyre pajisjeve gjatë vitit 2022.

Fondet për investime me financim të brendshëm për herë të parë në vitin 2022 janë parashikuar me rritje prej 81% ose 555 milionë lekë më shumë krahasuar me vitin aktual.
Këto shpenzime janë programuar për financimin e projekteve në vazhdim dhe projekteve të reja të investimeve.

Për vitin 2022 do të financohen punimet për ndërtimin e objekteve të tilla si: DVP Elbasan e Dibër, Komisariati i Policisë Sarandë dhe rikonstruksioni i Parkut të Antenave në Dajt.

Mbi 246 milionë lekë investime do të destinohen për blerje pajisje speciale të Policisë Kriminale, pajisje për teknologjinë e informacionit e Policinë Shkencore. Këto pajisje do të rinovojnë sistemet aktuale dhe do të modernizojnë pajisjet në përdorim të strukturave të specializuara, të cilat garantojnë cilësinë e dokumentimit të provave për veprat kriminale.

Vetëm për rinovimin e sistemit të transmetimit (DATACOM), do të përdoren në vitin 2022 rreth 318.7 milion lekë. Sistemi aktual mundëson ndërlidhjen e rreth 85% të strukturave ku ka prezencë policore dhe shtrihet në të gjithë vendin. Përmirësimi i këtij sistemi do të sjellë rritjen e parametrave dhe cilësinë e transmetimit të të dhënave të gjitha strukturave policore.

Blerje e pajisjeve për sistemin Data Center në vlerën 180 milion leke, vjen si fazë e dytë e investimit që mundësoi sigurimin e disa serverëve dhe pajisje rrjeti për plotësimin e nevojave për disa prej shërbimeve kritike, në interes të gatishmërisë dhe plotësimit të kushteve teknike për pajisjet e sistemet e TI.

Zgjerim i sistemit të numrit të unifikuar të emergjencave 112 do të mbështetet me 52 milionë lekë. Shtrirja e këtij shërbimi, ka për qëllim kalimin në rang kombetar, duke bërë kështu të mundur, mbulimin e gjithë territorit me thirrjet drejt numrit te unifikuar 112 dhe dhënien e shëbimeve të emergjences në kohë reale për qytetarët.

Edhe për vitin 2022 do të vazhdojë financimi i projektit të rinovimit të armatimit, duke e sjellë atë në nivelin e standardeve të policive të vendeve evropiane.

Përveç fondeve të investimeve me financim të brendshëm, Policisë së Shtetit për vitin 2022 i janë parashikuar rreth 335 milionë lekë financime të huaja. Me këto fonde sigurohet financimi i projekteve si:

Programi i Policimit në Komunitet, faza e dytë e financuar nga Qeveria Suedeze;
Mbështetje e BE-së për projekte, menaxhimin efektiv të kufijve të gjelbër dhe blu në Shqipëri; Ndërtim-rikonstruksion i godinës së PKK Qafë Botë dhe lufta kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike dhe krimit të organizuar”.

Vitet e fundit, Policia e Shtetit ka marrë një vëmendje të veçantë nga Qeveria Shqiptare, duke iu nënshtruar një reformimi te thellë, që e ka bërë dhe po e bën atë:

• Një shërbim policor më pranë qytetarëve dhe nevojave për siguri, një shërbim policor më të trajnuar dhe më të paguar;
• Një shërbim policor të besueshëm në krah të partnerëve ndërkombëtarë me platforma bashkëpunimi rajonale dhe euro-atlantikë në luftën ndaj krimit të organizuar, terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm;
• Me prezantuese e më dinjitozë, e mirëpajisur me uniformë, mjete, pajisje e sisteme teknologjie të transmetimit të informacionit dhe pajisje speciale gjurmimi bashkëkohore.

Të nderuar pjesëmarrës,

Ju garantoj se Policia e Shtetit do të jetë gjithmonë e angazhuar për përmbushjen e prioriteteve të saj të vendosura në kuadër të procesit të anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në BE, si dhe të misionit për ofrimin e sigurisë për qytetarët.

Duke pasur besim tek profesionalizmi dhe përkushtimi i çdo punonjësi policie, më lejoni që në emër të tyre, të shpreh edhe njëherë falënderimet për ndihmën e pakursyer dhe mbështetjen që na jep Kryeministri, Qeveria dhe Ministri i Brendshëm, dhe ju siguroj që Policia e Shtetit, e cila po behet me profesionale, me e modernizuar ne infrastrukturë, mjete e pajisje, do të jetë e motivuar, më shume se kurrë për të përballuar me sukses kryerjen e detyrave të ngarkuara.

Ju falemnderit!