Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Gledis Nano, në forumin për përmirësimin e sigurisë rrugore

Përshëndetje të gjithëve,

Siguria rrugore përbën një nga angazhimet tona më prioritare, sepse mbi ne, si Polici e Shtetit, bie përgjegjësia kryesore e këtij objektivi, që ka nevojë për kontributin e gjithsecilit që të përmbushet.

Investimi ynë maksimal përmes logjistikës dhe kapaciteteve njerëzore, për sigurinë rrugore, tregon qartë gjithë angazhimin tonë si Policia e Shtetit, për arritjen e këtij objektivi pro jetës. Përmbushja e tij nuk na bën vetëm të aftë si strukturë, por na bën më të ndjeshëm, më të kujdesshëm dhe më të motivuar pro jetës.

Rrugët janë hapësirat më të volitshme të ideuara dhe të ndërtuara nga njeriu, në stadet e emancipimit të tij, me qëllim për të rritur shkallën e komunikimit, bashkëpunimit dhe njohjes së asaj pjese të botës ku përsëri jeton një komunitet njerëzor, me të cilin çdo njeri ndërton të ardhmen në aspektin ekonomik, social dhe turistiko – kulturor.

Me rritjen e mirëqënies ekonomike dhe të shkallës së bashkëpunimit në të gjitha fushat që përmendëm më lart, rrugëtimi kurrsesi nuk mund të konsiderohet dhe nuk do ta lejojmë, me të gjitha mjetet ligjore, që të na kthehet në fatalitet.

Unë dua që nga ky panel t’ju ribëj një ftesë: ta ndajmë bashkë përgjegjësinë për sigurinë në rrugë.

E thashë këtë sepse Siguria Rrugore ka të bëjë me masat e marra për të reduktuar aksidentet rrugore, masa këto që merren nga shumë aktorë përgjegjës.

Të gjithë së bashku duhet të koordinojmë dhe bashkëpunojmë për të krijuar një mjedis më të sigurtë, më të aksesueshëm dhe të qëndrueshëm për sistemet e transportit, si dhe për të gjithë përdoruesit e rrugës.

Por si mund të rrisim sigurinë në rrugë? Në këndvështrim tim dhe të institucionit që unë drejtoj, besojmë se siguria rrugore rritet në rast se:

1. Rritet kultura e qarkullimit në rrugë dhe kjo arrihet nëpërmjet ndërgjegjësimit të përdoruesve të rrugës, përmes fushatave të ndryshme;
3. Pajisja e akseve rrugore me sinjalistiken e duhur dhe marrja e masave për mirëmbajtjen e rrugëve në ato segmente ku ka problematika që çojnë në përfshirje të ngjarjeve rrugore;
4. Pajisja e Policisë Rrugore me bazën logjistike të nevojshme, me qëllim shmangien e kontakteve të punonjësit të Policisë Rrugore me përdoruesin e rrugës, pra këtë kontakt ta bëjë teknologjia dhe jo polici;
5. Marrja e përgjegjësive nga secili aktor që e ngarkon ligji për të marrë masa për përmirësimin e sigurisë rrugore, dhe këtu rolin kryesor e kanë ARRSH dhe Enti Pronar i Rrugëve;
6. Ashpërsimi i masave për shkelje që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore;
7. Zgjatja e afatit të kursit për të fituar lejen e drejtimit;
8. Denoncimi i çdo shkeljeje të rregullve të qarkullimit nëpërmjet 112 dhe Komisariatit Dixhital etj.

Të gjitha këto masa dhe masa të tjera shtesë do të bëjnë që rrugët tona të jenë më të sigurta. Por, që të arrihet kjo, kërkohet një qasje gjithëpërfshirëse, duke analizuar në detaj shkaqet e aksidenteve, nxjerrjen e përgjegjësisë dhe ndëshkimin e fajtorëve, të cilët si pasojë e neglizhencës dhe mosmarrjes së masave kanë sjellë pasojën – aksidentin rrugor.

Çdo aksident është një humbje e dhimbshme, në çdo aspekt. Fatkeqësisht, çdo ditë e më shumë po përballemi me një rritje disproporcionale të mjeteve në rrugë dhe një rritje po kështu të kostove njerëzore, financiare dhe sociale të aksidenteve në rrugë në të gjithë rajonin tonë. Kjo është e papranueshme për ne, sikurse është për çdo aktor të sigurisë rrugore në rajon, BE dhe më gjerë.

Çështjet e sigurisë rrugore në vendin tonë, për shkak të pasojave që mbartin për jetën e shtetasve dhe shoqërinë, janë përfshirë në Programin Qeveritar dhe atë të Ministrisë së Brendshme, duke shtuar përgjegjësitë e strukturave përgjegjëse të Policisë Rrugore në kryerjen e misionit për menaxhimin e trafikut, parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë rrugore.

Në këtë linjë dhe në përshtatje me kushtet e vendit tonë, janë parashikuar plane veprimi afatmesme dhe afatgjata, të cilat fokusohen në këto drejtime kryesore:

a) Përafrim të legjislacionit tonë rrugor me atë europian, duke gjeneruar rrjedhimisht ndryshime në disa akte ligjore e nënligjore. Këtu vlen të përmendim ndryshime dhe shtesa të bëra së fundi në Kodin Rrugor, si dhe hartimin e të gjitha akteve të tjera nënligjore në zbatim të këtyre ndryshimeve.
b) Implementim masash për përdorimin e teknologjisë së avancuar, si dhe të aplikimit të sistemeve të informatizuara të kontrollit të respektimit të rregullave të trafikut.

c) Përforcim dhe thellim të bashkëpunimit institucional brenda dhe jashtë vendit. Lidhur me këtë të fundit, nisur edhe nga paneli i pasur që kemi këtu, kam kënaqësinë të përmend:
➢ Marrëveshjen për bashkëpunimin e ndërsjellë ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për rritjen e sigurisë rrugore.
➢ Marrëveshjen për bashkëpunimin e ndërsjellë ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Postës Shqiptare, për arkëtimin e gjobave.
➢ Marrëveshje me Byronë Shqiptare të Sigurimeve.

Policia e Shtetit është e ndërgjegjshme për pjesën e përgjegjësisë që ka si një aktor kryesor në rritjen e sigurisë rrugore. Në këtë kuadër, kemi miratuar dhe po zbatojmë një strategji të mirëstudiuar për reduktimin e numrit të aksidenteve dhe pasojave të tyre.

Kjo strategji përvijohet në dy linja kryesore, që janë:

-Identifikimi i faktorëve të rrezikut që ndikojnë në aksidentet rrugore dhe kostot që sjellin ato;

-Identifikimi i ndërhyrjeve që reduktojnë rrezikun që lidhet me këta faktorë.

Më tej, kjo strategji përkthehet e detajuar në objektivat e Policisë së Shtetit për reduktimin e numrit të aksidenteve dhe pasojave të tyre, me hapa/masa që konsistojnë në forcimin e rolit proaktiv, por dhe reaktiv të shërbimit të Policisë Rrugore, për reduktimin në përgjithësi të aksidenteve automobilistike, si dhe pasojave të tyre njerëzore, financiare dhe sociale.

Më konkretisht, objektivat e Policisë në drejtim të rritjes së parametrave të sigurisë rrugore kanë të bëjnë me tri elemente thelbësore që ndikojnë drejtpërdrejt në këtë të fundit, siç janë:

• Forcimi i zbatimit të ligjit;
• Ulja e aksidenteve me fatalitete në masën 50%, brenda 5 viteve; (shënim tabelë dhe grafikë për situatën aktuale)
• Rritja e besimit të publikut ndaj shërbimit të Policisë.
Në përpjekje të vazhdueshme, por progresive për arritjen e këtyre objektivave, Policia e Shtetit, në mënyrë konstante i është përgjigjur në kohë sfidave dhe fenomeneve të reja duke përshtatur strukturat e saj operacionale me standardet evropiane dhe duke shtuar e përmirësuar kapacitetet e saj njerëzore. Nga ana tjetër, propozimet e herëpashershme për ndryshime të nevojshme në legjislacion, me qëllim ndëshkimin e shkeljeve burim aksidenti, e kanë forcuar përgjigjen e Policisë ndaj shkelësve të normave të qarkullimit rrugor.
Vazhdoj të këmbëngul që krijimi i një klime bashkëpunimi me gjithë aktorët që janë përgjegjës në fushën e sigurisë rrugore është çelësi për arritjen e suksesit tonë në këtë sfidë dhe me krenari pohoj që Policia e Shtetit ka qenë dhe do të jetë një nismëtare dhe bashkëpunëtore aktive në çdo program, projekt apo fushatë me fokus sigurinë rrugore apo një aspekt të veçantë të saj.

Por le të flasim pak me numra, me rezultate të prekshme. Përmenda më lart që një nga objektivat tanë është ulja e aksidenteve me fatalitete në masën 50%, brenda 5 viteve dhe ne, zonja dhe zotërinj, i kemi përcaktuar qartë hapat tona për t’i prekur këto rezultate:

Së pari kemi analizuar dhe identifikuar shkaqet kryesore të ngjarjeve rrugore me pasojë, të cilat janë:

✓ Tejkalimi i normave të shpejtësisë, me 17% të ndodhjes së aksidenteve rrugore;
✓ Përfshirja e këmbësorëve, me 15% të ndodhjes së aksidenteve rrugore;
✓ Drejtimi i mjetit duke përdorur aparate telefonike, me 10% të ndodhjes së aksidenteve rrugore;
✓ Parakalimet e gabuara, me 7% të ndodhjes së aksidenteve rrugore;
✓ Drejtimi i mjetit pa leje drejtimi, me 6% të ndodhjes së aksidenteve rrugore;
✓ Drejtimi i mjetit nën ndikimin e pijeve alkoolike dhe lëndëve psikotrope, që përbëjnë 4% të ndodhjes së aksidenteve rrugore.

Së dyti: kemi përmirësuar sistemin e kontrollit policor me mjete teknike dhe kryesisht për konstatimin e shkeljeve që janë shkaqe kryesore të ndodhjes së ngjarjeve rrugore me pasojë. Kjo ka rritur profesionalizmin dhe efikasitetin e punës së Policisë Rrugore në drejtim të kontrolleve, konstatimeve dhe ndëshkimeve të shkelësve të ligjit.

Lidhur me këtë, më lejoni t’u drejtohem të gjithë skeptikëve duke u thënë se shpenzimet në lidhje me sigurinë rrugore duhet të shihen si një prioritet i lartë dhe si një investim, jo si një kosto.

Falë investimeve të bëra nga qeveria, por edhe falë bashkëpunimeve të frytshme me partnerë vendas dhe të huaj, të cilët gjej rastin t’i falënderoj, Policia Rrugore ka nisur rrugëtimin drejt modernizimit të profilit të saj dhe është pajisur aktualisht me mjete teknologjike avangardë për evidentimin e shkeljeve rrugore, si: radarë inteligjent automatik, “Poliscan FM 1”, sisteme Radarë Mobil dhe sisteme të lëvizshme të leximit automatik të targave (ANPR), si dhe alkooltestues, drogëtestues, dronë e pajisje të tjera.

Sikurse thashë, Policia e Shtetit dhe më konkretisht shërbimi i Policisë Rrugore, për parandalimin e ngjarjeve rrugore ka dy qasje, atë proaktive dhe atë reaktive, që mbështeten nga dy mekanizma kryesorë:

✓ Ndërgjegjësimi dhe edukimin i përdoruesve të rrugës;
✓ Identifikimi i shkeljeve të normave të sjelljes dhe ndëshkimi i tyre me masa administrative sipas akteve ligjore tashmë të përafruara me ato europiane.

Dua të jem i qartë përtej çdo dyshimi për faktin që Policia nuk e ka qëllim në vetvete ndëshkimin me masa administrative, por synon thjesht dhe vetëm në krijimin e një mjedisi sa më të sigurt për përdoruesit e rrugës, në përmbushje të rolit të saj në këtë mozaik përgjegjësish.

Dhe po në përmbushje të rolit të saj jo pak vendimtar, Policia e Shtetit në kuadër të llogaridhënies dhe të vlerësimit të efikasitetit të masave apo aktiviteteve të parashikuara dhe të aplikuara në fushën e sigurisë rrugore, përdor disa indikatorë për të matur parametrat e sigurisë rrugore, si:

• Krahasimi vit pas viti;
• Krahasimi me vendet e BE-së dhe vendet e rajonit duke marrë si referencë ngjarje rrugore me pasojë në jetë njerëzish për 100.000 mjete dhe 1.000.000 banorë etj.

Tani, duke përfituar edhe nga rëndësia e këtij eventi, në përpjekje për të qenë transparent dhe për të përcjellë rezultate konkrete tek publiku, më lejoni të them se jemi në trendin këtij viti kemi 75 jetë të humbura nga aksidentet rrugore, ndërsa për të njëjtën periudhë të vitit 2021 kemi 90 jetë të humbura, pra shikohet qartë trendi i uljes së aksidenteve me pasojë jetën dhe kjo falë punës dhe përkushtimit të Policisë Rrugore, e cila tashmë është e mirëpajisur me logjistikën më bashkëkohore.

Duke vazhduar me nota optimiste, mund të them se, krahasuar me vendet e BE-së dhe vendet e rajonit, aktualisht vendi ynë gjendet në një nivel mesatar në raport me vendet e BE-së.

Tani të vijmë në një nga elementet më të rëndësishme, në gjykimin tim, sa i përket sigurisë rrugore: Publiku-komuniteti. Fundja gjithë kjo bëhet për të. “Rrugë për jetën” kujtoj të ketë qenë slogani i një fushate të sigurisë rrugore të udhëhequr nga UN. Rrugët janë për njerëzit, siguria është për njerëzit, qendra e këtij “misioni shpëtimi” janë njerëzit.

Pra, në këtë linjë, ne, si Polici jemi të qartë që siguria rrugore, përveç shifrave, në një masë të madhe varet edhe nga perceptimi i publikut dhe këtu mendoj që kemi ende shumë punë për të bërë, pasi edhe pse shifrat janë pozitive, prapë ekziston një perceptim jo realist për sigurinë rrugore.

I një rëndësie të veçantë në këtë kontekst është edukimi dhe ndërgjegjësimi i publikut për sigurinë rrugore. Edhe në këtë aspekt, Policia e Shtetit luan një rol aktiv, duke hartuar çdo vit programe pune për edukimin në shkollat e arsimit parauniversitar, duke organizuar fushata sensibilizuese në media etj.

Nuk duket të lëmë jashtë vëmendjes ndikimin që rritja e transparencës ndaj përdoruesve të rrugës ka në rritjen e besimit të komunitetit te Policia e Shtetit dhe shërbimet e Policisë Rrugore në veçanti. Ndikim pozitiv këtu ka dhënë futja e pajisjeve të reja teknike për identifikimin dhe administrimin e verbalizimit të shkeljeve. Këto pajisje kanë bërë të mundur shmangien e ndalimit pa arsye (pa një shkelje) dhe kontaktit të panevojshëm të punonjësit të Policisë me drejtuesit e mjeteve. Kjo mund të shihet edhe si një epokë e re në marrëdhënien mes Policisë Rrugore dhe përdoruesit të rrugës, për të cilën kryefjala është “Makinat inteligjente”.

Përdorimi më intensiv i teknologjisë do të jetë si dy anë të një medaljeje fituese në fakt, pasi, do të bëjë të mundur reduktimin prezencës së Policisë Rrugore nga akset rrugore, nga njëra anë, por, duke intensifikuar në të njëjtën kohë identifikimin e shkeljeve, duke rritur efektivitetin në punën e përditshme të shërbimit të Policisë Rrugore, me një efekt parandalues kundrejt përdoruesve të rrugës, duke minimizuar ndërhyrjen njerëzore gjatë konstatimit të shkeljeve që passjell zbatim të njëjtë dhe tërësisht objektiv të ligjshmërisë rrugore për të gjithë përdoruesit e rrugës, duke minimizuar edhe riskun e veprimeve korruptive, elemente të cilat për rrjedhojë, jemi besimplotë se do të rrisin besimin e publikut në punën e shërbimit të Policisë Rrugore.

Të nderuar pjesmarrës: Besimi që kam në profesionalizmin dhe përkushtimin e organizatës që drejtoj dhe shërbimeve të Policisë Rrugore që janë pjesa protagoniste e organizatës sonë në gjithë problematikat dhe sukseset që lidhen me sigurinë rrugore, më bën ta shoh gotën gjysmë plot. Pra, sikurse paraqita edhe më lart, kemi bërë shumë. Por, ju e dini, ka gjithmonë vend për përmirësim, si në çdo aspekt të punës sonë, edhe në sigurinë rrugore. Ne nuk do të mjaftohemi vetëm me kaq.

Policia e Shtetit synon ta vendosë shërbimin e Policisë Rrugore në pararojë të shërbimeve policore, me qëllim ofrimin e këtij shërbimi sipas standardeve më të mira profesionale, për të pasur menaxhim bashkëkohor të trafikut rrugor dhe siguri rrugore të krahasueshme me standardet europiane.

Kemi një plan të qartë për modernizimin e Policisë Rrugore, të cilin po e ndjekim me rigorozitet. Ky plan parashikon përdorimin e teknologjisë shoqëruar me zhvillimin e zgjidhjeve elektronike për menaxhimin e punës (menaxhimi elektronik i gjobave nga radarët, ndërlidhja me sistemin e-gjoba dhe databazat e tjera qeveritare, etj).

Më lejoni që për herë të parë në këtë event të paraqes publikisht para jush një projekt të ri që po zhvillojmë në bashkëpunim me Projektin Suedez, të quajtur “Moduli i Mbikëqyrësit dhe Menaxhimit Elektronik të Gjobave”, i cili gjykoj se tregon qartë vizionin tonë për një Polici Rrugore moderne dhe tërësisht në shërbim të njerëzve.

Sigurisht që ne mbetemi të hapur dhe të gatshëm për ide, projekte, programe, praktika të mira të adaptueshme për shërbimin e Policisë Rrugore shqiptare për përmirësimin e sigurisë rrugore në vend dhe më gjerë. Fundja, siguria rrugore është një çështje që kërkon bashkëpunim dhe vetëm bashkëpunim në adresimin e saj dhe te Policia e Shtetit do të gjeni një bashkëpunëtor të denjë në këtë mision human.

Integrimi dhe konsolidimi i çdo shteti, shihet dhe ndikohet nga ndertimi i rrugëve si udhë të sigurta nderveprimi dhe përballje me realitetet e tjera.

Pa to, çdo individ apo shoqeri perjeton serish vetizolimin dhe shkeputjen nga krejt veprimtaria njerezore.

Por, politikat dhe prioritetet tona të sigurisë nuk kanë për qëllim që me rregullat e vendosura të reduktojnë fluksin e trafikut dhe të udhëtarëve. Përkundrazi ato do të garantojnë forcimin e kulturës qytetare në qarkullim dhe kontrollin e vazhdueshëm, për të parandaluar rastet dhe prirjet e asaj kategorie të shoqërisë sonë, që pasioni apo papërgjegjshmëria gjatë drejtimit të automjeteve, i bën të tejkalojnë normat dhe standardet që e bëjnë jetën tonë më të sigurtë.

Në përfundim, dëshiroj të përcjell një apel për të gjithë përdoruesit e rrugës, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, sepse Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, kjo jo për të shtuar nurmin e gjobave, por vetëm për një qëllim madhor: për sigurinë e jetës dhe të shëndetit të përdoruesve të rrugës.

I ftoj qytetarët të mbështesin Policinë, edhe në këtë drejtim, sepse bashkërisht krijojmë një ambient më të sigurtë dhe një siguri rrugore me parametra më optimalë.

Faleminderit!