Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ardi Veliu, në prezantimin e paketës ligjore “Për marrjen e masave për parandalimin, zbulimin, dokumentimin dhe forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe terrorizmit”
I nderuar zoti Kryeministër,
I nderuar zoti Ministër i Brendshëm,
Të nderuar të ftuar dhe pjesëmarrës,
Rezultatet e arritura në vitin që lamë pas, me sekuestrimin e mbi 90 milionë eurove pasuri kriminale, duke goditur mbi dhjetëra grupe kriminale në fushën e krimit të organizuar dëshmojnë se Policia e Shtetit është në lartësinë e detyrës. Si një partnere e besueshme tek qytetarët dhe partnerët e huaj, Policia e Shtetit zhvilloi në bashkëpunim dhjetëra operacione ndërkombëtare kundër krimit të organizuar e terrorizmit. Qindra persona të rrezikshëm e në kërkim për krime të ndryshme janë sot të arrestuar.
Por, jemi dëshmitarë për shkak të kushteve specifike që po kalon vendi, se kjo nuk mjafton…
Lufta ndaj krimit, e aq më tepër ndaj krimit të organizuar nuk mund të zhvillohet e vetme, pa bashkëpunim, pa kuadër ligjor të përshtatur sipas situatave e zhvillimeve, si dhe pa kontributin e gjithë aktorëve apo faktorëve.
Ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë, veçanërisht SPAK-u dhe Byroja Kombëtare e Hetimit në proces e forcojnë këtë luftë dhe na bëjnë më të vendosur për të parashikuar fundin e saj.
Që prej 31 janarit 2020 ka hyrë në fuqi akti normativ, theksoj, më thelbësori për goditjen në zemër të krimit të organizuar. Ai lidhet me gjurmimin e pasurisë së personave të dënuar për krim të organizuar, organizatave kriminale apo grup tjetër kriminal e terrorist.
Përkrah punës për përgatitjen e paketës ligjore nga disa institucione, në Policinë e Shtetit është vijuar me përgatitjen e Njësisë së Posaçme, nën varësi direkte të Drejtorit të Përgjithshëm, “Operacioni Forca e Ligjit”. Është kjo Njësi me punonjës të kualifikuar, të përzgjedhur me kujdes, që janë gati ta zhvendosin së bashku me drejtuesit e tyre në një stad të ri, të panjohur e të pashkelur më parë, luftën kundër krimit.
Është histori e njohur në Shqipëri, që persona të implikuar në krime, trafiqe, grupe të strukturuara apo terrorizëm, për shkak të sistemit problematik të drejtësisë, nuk janë dënuar nga gjykatat e lëvizin lirshëm. Një pjesë e madhe e tyre gëzojnë sot pasuri e prona marramendëse. Hetimet provojnë implikime të tyre në ngjarje të pandërprera kriminale, që trondisin opinionin publik për nga makabriteti. E kjo histori nuk mundet të vazhdojë më kështu.
Këta persona do të duhet të provojnë se pronat, hotelet, banesat, tokat, mjetet e llogaritë bankare kanë burim të ligjshëm.
Rolet do të ndryshojnë, pasi nuk do të jenë më autoritetet ligjzbatuese që u shkojnë pas, për të provuar para drejtësisë burimin e paligjshëm të pasurisë së tyre, por vetë ata do të kenë barrën e provës për të justifikuar ligjshmërinë e pronave apo parave. Rrethi është zgjeruar edhe tek familjarët apo palët e treta, të cilët shpesh bëhen mburoja apo mbulesa, në tentativën për të humbur gjurmët e burimit të parasë kriminale.
Të përgatiten se do të japin llogari e përligjin çdo qindarkë. Ndërsa transaksionet që synojnë të fshehin këto pasuri të paligjshme konsiderohen të pavlefshme. Të gjitha këto para e pasuri do t’i shkojnë të mirës publike, mirëqënies, rritjes së sigurisë për qytetarët.
Për Policinë e Shtetit, lufta pa kompromis ndaj kriminalitetit në përgjithësi dhe ndaj krimit të organizuar e terrorizmit në veçanti, ka qenë dhe është prioritet kryesor për vitin 2020. Për përmbushjen e këtij prioriteti, strukturat e Policisë janë tërësisht të angazhuara dhe të vendosura për t’u përballur dhe për të luftuar me çdo çmim, me qëllimin e vetëm, krijimin e një ambienti sa më të sigurt.
Serioziteti, profesionalizmi dhe vendosmëria e Policisë së Shtetit për të luftuar krimin e organizuar, sidomos vitet e fundit, tashmë është e certifikuar nga besimi i qytetarëve, por edhe nga agjencitë ligjzbatuese më prestigjioze ndërkombëtare e homologët.
Të nderuar kolegë e punonjës të Policisë,
Shpreh bindjen se kjo nismë ligjore do të çojë në parandalimin, evidentimin dhe goditjen më efikase të krimit në tërësi, e atij të organizuar në veçanti, duke ua bërë të parehatshëm atdheun tonë shkelësve të ligjit. E kemi detyrim, jo vetëm për shkak të detyrës, por edhe në emër të fëmijëve tanë, që kërkojnë e meritojnë një të ardhme më të mirë.
Ju falemnderit!