Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm, në SPAK, për operacionin “Golden bullet”

Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Gledis Nano, mbajtur në SPAK, gjatë konferencës për operacionin “Golden bullet”.

“Përshëndetje të gjithëve,

Operacioni i koduar “Golden bullet”, që është në vijim, ka nisur menjëherë pas arrestimit të shumë të kërkuarit Nuredin Dumani, i cili u arrestua gjatë operacionit policor të koduar “Arratia”, që u zhvillua nga strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Pas veprimeve intensive hetimore të kryera nga strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me SPAK-un dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, si dhe në bazë të informacioneve të marra nga burime të ndryshme, u krijuan dyshimet e arsyeshme për përfshirjen e shumë personave të tjerë, në veprimtari kriminale kundër personit dhe në fushën e krimit të organizuar.

Menjëherë pas nxjerrjes së urdhër arresteve për 32 persona dhe urdhrave për kryerjen e kontrolleve në 27 banesa, të lëshuara nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Policia e Shtetit organizoi operacionin policor të koduar “Golden bullet”, për ekzekutimin e masave të sigurisë “Arrest në burg”.

Operacioni u shtri në disa qarqe, në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Lezhë. Në operacion u përfshinë forcat speciale RENEA, FNSH, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtoria Kundër Krimeve ndaj Personit e Pasurisë, Drejtoria Hetimore, si dhe Drejtoritë Vendore të qarqeve që përmenda.

Ky operacion u drejtua nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Deri tani janë ekzekutuar gjithsej 18 masa sigurie, nga këto 9 persona u kapën gjatë operacionit, ndërsa për 9 të tjerët, masat e sigurisë u ekzekutuan në disa IEVP, sepse këta shtetas janë arrestuar më parë, për vepra të ndryshme penale.

Gjatë operacionit, si rezultat i kontrollit të banesave dhe hoteleve janë sekuestruar 3 armë zjarri (konkretisht 2 kallashnikovë dhe 1 pistoletë), 2 antiplumb si ato që përdor Policia e Shtetit, municion luftarak, rreth 17 mijë euro, aparate celulare, fatura bankare, automjete dhe sende të tjera të përfituara nga veprimtaria kriminale.

Operacioni “Golden bullet” është tregues i bashkëpunimit të shkëlqyer mes Policisë së Shtetit, SPAK-ut dhe Prokurorive të Rretheve Gjyqësore, konkretisht asaj të Elbasanit, si dhe të profesionalizmit të këtyre strukturave, në hetimin e thelluar që çoi në identifikimin dhe dokumentimin e veprimtarisë kriminale të këtyre personave dhe grupeve kriminale.
Operacioni është në vijim dhe dua të garantoj qytetarët se strukturat e Policisë së Shtetit nuk do të ndalojnë asnjë moment operacionet, deri në kapjen e të gjithë personave të kërkuar që janë të përfshirë në veprimtari kriminale.

Gjithashtu, shpreh vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të bashkëpunuar ngushtësisht me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit dhe me homologët tanë, me qëllim lokalizmin, kapjen dhe çuarjen përpara drejtësisë, të këtyre personave, që mund të strehohen jashtë vendit.

Njëkohësisht, mbetem i vendosur për të pastruar nga radhët e Policisë së Shtetit ata punonjës policie që shpërdorojnë detyrën apo më keq akoma bëhen palë me krimin, si dhe inkurajoj agjencitë ligjzbatuese që të hetojnë çdo rast të përfshirjes së punonjësve të Policisë, në veprimtari të kundërligjshme.

Ftoj qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit, që bashkërisht të parandalojmë, të evidentojmë dhe të godasim paligjshmërinë, krimin në përgjithësi dhe atë të organizuar në veçanti, me qëllim krijimin e një ambienti shumë më të sigurtë për qytetarët dhe aspak të sigurtë për shkelësit e ligjit. Faleminderit!”

Në përfundim të fjalës së tyre, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano dhe Drejtuesi i SPAK-ut Arben Kraja, iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve.

Pyetje: Zoti Nano, cilat janë këto vrasje, të dhunshme ose jo, vjedhje me dhunë, vepra dhune, shkatërrim prone që janë zbardhur në bashkëpunim me SPAK-un?

Nano: Ngjarjet, ashtu siç e përmendi edhe drejtuesi i Prokurorisë, nuk mund t’i përmendim sot, pasi çështja është në hetim dhe operacioni është në vijim. Do të kemi komunikime të tjera më mëvonshme dhe do t’i bejmë me dije dhe ngjarjet të cilat janë dokumentuar dhe janë grumbulluar prova materiale.

Pyetje: Zoti Nano, ju theksuat gjatë fjalës suaj se operacioni nisi menjëherë pas arrestimit të Nuredin Dumanit. Mund të na sqaroni pse u citua kjo që në hyrje të fjalës suaj?

Përgjigje: Në qoftë se do të flasim për hetime, unë dua sqaroj se në çdo rast të ngjarjes apo marrjes në dijeni nga Policia e Shtetit, për ndodhjen e ngjarjeve kriminale, veprimet janë kryer me profesionalizëm dhe janë kryer të plota, nën drejtimin e Prokurorive përkatëse, me qëllim fiksimin e provave dhe kryerjen e veprimeve të tjera si policore ashtu dhe procedurale. Kështu që ne nuk mund të themi që kjo punë ka nisur sot dhe do mbarojë sot, por ka filluar që pas ndodhjes së secilës nga ngjarjet kriminale, ku ne kemi qenë pjesë dhe kemi kryer veprimet. Tërësia e provave që janë mbledhur ka dokumentuar mekanizmin e secilës ngjarje, versionet hetimore dhe pasi janë grumbulluar provat e tjera është kërkuar nga Prokuroria dhe është vendosur nga Gjykata për lëshimin e këtyre urdhër arresteve. Jua përmenda, është operacion dhe nuk isha gabim në fjalën time, sepse hetimi ju thashë që ka filluar pas çdo ngjarjeje. Ky operacion ashtu siç ka filluar ashtu edhe do përfundojë në një kohë të caktuar, por jemi akoma në zhvillim dhe siç ju thashë, jemi shumë të vendosur që të vazhdojmë përballjen me cdo individ dhe grup kriminal që ka aktivitet në Republikën e Shqipërisë, për të patur një ambient sa më të qetë dhe sa më të sigurtë për qytetarët.

Pyetje: Pas vendimit të sotëm, çfarë masash ka marrë Policia?

Nano: Policia është në këmbë dhe i ka marrë masat lidhur me aty ku ka informacione dhe dyshime se mund të ketë konflikte apo përshkallëzime të konflikteve, që degjenerojnë në ngjarje të rënda kriminale. Kështu që edhe personat që janë të kërkuar apo persona të tjerë që i shmangen drejtësisë, të jeni të sigurtë që në mos tani, pak më vonë do të vihen përpara organeve të drejtësisë.