Finalizohet nga Komisariati i Policisë Sarandë, operacioni policor i koduar “Same”

Sarandë/Vijojnë operacionet për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë.

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Sarandë, operacioni policor i koduar “Same”.

Vihet në pranga një 37-vjeçar, autor i dyshuar i 3 vjedhjeve, në lagjen nr. 1, Sarandë.

Sekuestrohen 2 armë të ftohta (thika), që ky shtetas i mbante në automjet.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, identifikimin e autorëve dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Same”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit:

– A. G., 37 vjeç, banues në Prishtinë, Kosovë, për të cilin Prokuroria ka nxjerrë urdhër ndalimi, për veprën penale “Vjedhja”.

Shtetasi A. G. dyshohet të jetë autor i disa vjedhjeve, në lagjen nr. 1 të qytetit të Sarandës, konkretisht:

– Më datë 26.04.2022, dyshohet se ka vjedhur motorin e një mjeti lundrues të ankoruar, në pronësi të shtetasit T. M.;

– Më datë 19.09.2022, dyshohet se ka vjedhur pajisje elektronike, në një subjekt tregtar;

– Më datë 04.10.2022, dyshohet se ka vjedhur disa produkte, në një subjekt tregtar.

Gjatë kontrollit të automjetit që ky shtetas drejtonte në momentin e ndalimit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 2 armë të ftohta (thika).

Vijon puna për dokumentimin e plotë me prova ligjore, të vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

https://youtu.be/HGvbuYavhHg