Fier – Vodhën në Levan, disa krerë bagëti të trasha, vihen në pranga 59-vjeçari dhe djali i tij

Fier/Vijon bashkëpunimi i ngushtë me qytetarët, për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të vjedhjeve.

Vodhën në Levan, 5 krerë bagëti të trasha (lopë), vihen në pranga 59-vjeçari dhe djali i tij. Punohet për kapjen e djalit tjetër të 59-vjeçarit.

Sekuestrohen 5 bagëtitë, furgoni me të cilin u transportuan bagëtitë, nga banesa ku u vodhën te banesa e të arrestuarve, ku u gjetën, si dhe 6 targa automjetesh.

Si rezultat i veprimeve hetimore dhe policore të kryera menjëherë pas kallëzimit të një shtetasi, se i kishin vjedhur 5 krerë bagëti të trasha (lopë), Komisariati i Policisë Fier, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier dhe me Komisariatin e Policisë Krujë, kanë zbardhur vjedhjen, si dhe kanë identifikuar dhe arrestuar autorët e dyshuar të saj, shtetasit F. K., 59 vjeç dhe J. K., 30 vjeç, babë e bir, të dy banues në fshatin Dukagjin i Ri.

Gjithashtu, u identifikua dhe u shpall në kërkim, si bashkëpunëtor për vjedhjen, djali tjetër i shtetasit F. K., shtetasi E. K., 19 vjeç.

Punohet për kapjen e 19-vjeçarit, si dhe për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurisë, për veprime të mëtejshme.