Fier/Ushtronte aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit, nëpërmjet celularëve, në lokalin e tij të paregjistruar në organet tatimore, vihet në pranga 36-vjeçari.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Fier, gjatë kontrolleve të ushtruara për goditjen e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit, kanë goditur një tjetër rast, për të cilin u vu në pranga shtetasi M. M., 36 vjeç, banues në Fier.
Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 2 celularë me faqe që shërbenin për të organizuar lojëra fati, si dhe foto të biletave të basteve sportive.
Nga verifikimet rezultoi se ky shtetas, nuk e kishte regjistruar në organet tatimore, lokalin e tij, dhe fshihte të ardhurat që përfitonte.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.