Fier / Policia e Fierit dhe institucionet përgjegjëse, plotësisht të koordinuara në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike.
Si rezultat i angazhimit maksimal, profesionalizmit dhe punës së pandërprerë të strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet ligjzbatuese dhe ato vendore, fenomeni i kultivimit të bimëve narkotike në territorin e qarkut Fier ka pësuar rënie të ndjeshme nga viti në vit.
Në ambientet e Prefekturës u zhvillua takimi i grupit rajonal për qarkun Fier. Në këtë takim morën pjesë Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, Drejtues i Parë Skënder Hita, Prefekti i Qarkut Fier, z. Anduel Xhindi, Drejtuesi i Prokurorisë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, z. Elion Mustafaj, Drejtori i Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Drejtues i Lartë, Pëllumb Seferi, Drejtor i SHISH Fier z. Jeton Hajdinaj.
Gjithashtu, në takim morën pjesë drejtues të bashkive të qarkut, përfaqësues të institucioneve të tjera ligjzbatuese, operatorëve të shpërndarjes së energjisë elektrike dhe ujësjellës-kanalizimeve, si dhe drejtues e punonjës të strukturave të Policisë në DVP Fier.
Takimi u fokusua në:
•analizën e detajuar të rezultateve të arritura gjatë vitit 2025;
•vlerësimin e ecurisë së zbatimit të masave parandaluese dhe goditëse;
•identifikimin dhe hartëzimin e zonave me risk të lartë, bazuar në evidencat e viteve të mëparshme;
•rritjen e efektivitetit të kontrolleve në terren, përfshirë patrullimet në këmbë dhe monitorimin me mjete ajrore pa pilot (dronë).
Gjatë diskutimeve u evidentua qartë se suksesi i arritur është rezultat i bashkëpunimit të strukturuar ndërinstitucional, shkëmbimit në kohë reale të informacionit, analizës së përbashkët të riskut dhe ndërhyrjes së koordinuar operacionale.
Në kuadër të planifikimit për vitin 2026, u përcaktuan strategjitë dhe masat konkrete që do të zbatohen, të cilat konsistojnë në:
•intensifikimin e kontrolleve sistematike në zonat e identifikuara;
•forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me Prokurorinë dhe institucionet e tjera përgjegjëse;
•përdorimin e metodave të avancuara teknologjike për monitorimin dhe kontrollin e territorit;
•goditjen e çdo tentative për kultivim që në fazë të hershme;
•sensibilizimin e vazhdueshëm dhe të targetuar të komunitetit, nëpërmjet fushatave informuese, takimeve me banorët, strukturat arsimore dhe aktorët vendorë, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe parandalimin e përfshirjes në veprimtari të paligjshme.
Strukturat e DVP Fier mbeten maksimalisht të angazhuara në parandalimin dhe goditjen e çdo veprimtarie kriminale në fushën e narkotikëve, duke vijuar operacionet e mirëkoordinuara, punën intensive operative, bashkëpunimin me qytetarët dhe kontrollet e pandërprera në të gjithë territorin e qarkut, si garanci për sigurinë dhe rendin publik.







