Kontrolle në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim parandalimin dhe goditjen që në fazë fillestare, të tentativave për kultivim të bimëve narkotike.
Arrestohet në flagrancë pronarja e banesës ku u gjetën fidanët narkotikë, si dhe shpallet në kërkim bashkëshorti i saj.
Në banesën e këtyre shtetasve, u gjet edhe një armë gjahu që mbahej pa leje.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në zbatim të detyrave të marra në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar, me fokus parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike dhe goditjen e kësaj veprimtarie kriminale, që në fazë fillestare, si dhe me mbështetjen e inteligjencës informative, kanë evidentuar dhe kanë goditur në kuadër të operacionit policor të koduar “Kreshpan”, një tjetër rast të kësaj veprimtarie kriminale, për të cilin u arrestua në flagrancë shtetasja P. Y., 49 vjeçe, si dhe u shpall në kërkim bashkëshorti i saj shtetasi D. Y., 51 vjeç (alias S. Y., alias K. Y.).
Si rezultat i kontrolleve, në banesën e këtyre shtetasve, në fshatin Kreshpan, shërbimet e Policisë gjetën dhe asgjësuan 182 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, të mbjellë në kubikë.
Gjithashtu, në banesën e këtyre shtetasve u gjet dhe u sekuestrua një armë gjahu që mbahej pa leje.
Vijon puna për kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasit D. Y.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, për veprime të mëtejshme.