Fier/Finalizohet si rezultat i një hetimi proaktiv, operacioni policor i koduar “Imponimi”.
Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier.
Dhunuan dhe i hoqën lirinë një 24-vjeçareje, si dhe e shfrytëzuan atë për 2 muaj, për prostitucion, kapen dhe arrestohen 3 shtetase.
Shpallet në kërkim organizatori i veprimtarisë së kundërligjshme të prostitucionit, i cili bashkëpunoi me 3 të arrestuarat për t’i hequr lirinë 24-vjeçares dhe për ta imponuar atë, për prostitucion.
Organizatori dhe njëra nga të arrestuarat , me precedent penal të mëparshëm.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, mbështetur nga inteligjenca informative se disa shtetas po shfrytëzonin një 24-vjeçare për prostitucion, kanë referuar materialet në Prokurorinë e Fierit, e cila regjistroi një procedim penal për këtë rast.
Bazuar në provat e siguruara nga hetimi proaktiv dymujor, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Imponimi”, në kuadër të të cilit u bë ndalimi për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, i shtetaseve:
-P. I., 32 vjeçe, banuese në Patos, A. T., 19 vjeçe, banuese në Fier dhe i një 17-vjeçareje banuese në Fier. 32-vjeçarja ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Në vijim të veprimeve hetimore për këtë rast, u shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit A. M., 33 vjeç, banues në Fier, organizator i kësaj veprimtarie kriminale (i dënuar më parë për vrasje të mbetur në tentativë).
33-vjeçari, në bashkëpunim me 3 shtetaset e ndaluara, i kanë hequr lirinë, nëpërmjet kërcënimit dhe dhunës, një 24-vjeçareje dhe e kanë shfrytëzuar atë për prostitucion, në banesa me qira dhe hotele të ndryshme në qytetin e Fierit.
Vijon puna për kapjen dhe vënien para drejtësisë të 33-vjeçarit, organizator i kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.