Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Taksisti”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
U kapën duke transportuar 5 emigrantë të paligjshëm, arrestohen në flagrancë 2 shtetas.
Në zbatim të planit të masave për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, nga Sektori i Qarkullimit Rrugor, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Fier, pas informacioneve të marra në rrugë policore se një automjet furgon tip “Benz” po transportonte klandestinë drejt Tiranës, finalizuan operacionin policor të koduar “Taksisti”, në përfundim të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit B. K., 53 vjeç, banues në Durrës dhe R. J., 53 vjeç, banues në Durrës.
Këta shtetas janë kapur në kushtet e flagrancës nga shërbimet e Policisë Rrugore, në vendin e quajtur “Rotondo e Kolonjës”, duke transportuar me automjetin tip “Benz”, 5 emigrantë të paligjshëm (sirianë), të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim.