Fier – Bien në prangat e Policisë 4 shtetas, njëri prej tyre i shpallur në kërkim

Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Bien në prangat e Policisë 4 shtetas, njëri prej tyre i shpallur në kërkim.

•Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasin A. M., 52 vjeç, banues në Fier. Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Apelit Vlorë i ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg“ për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike“ kryer në bashkëpunim.

Ky shtetas është njëri prej autorëve të kultivimit të fidanëve narkotikë cannabis sativa në kubikë, të cilët u konstatuan në pyllin e Semanit, gjatë operacionit të datës 19 maj 2021.

•Gjithashtu, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier u bë ndalimi i shtetasit E. M., 28 vjeç, banues në Fier.

Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” të caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”, sepse gjatë kontrollit nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, nuk është konstatuar në banesën e tij.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

•Nga specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Fier u arrestuan në flagrancë shtetasit:

F. T., 28 vjeç, banues në Lushnjë, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë duke drejtuar automjetin tip “Benz” (autoshkollë), në gjendje të dehur dhe me leje drejtimi të pezulluar.

G. G., 47 vjeç, banues në Kashtëbardhë, Lushnjë, pasi në fshatin Lifaj, mbrëmjen e djeshme, duke drejtuar automjetin tip “Ford Focus” është përplasur me një karrocë që tërhiqej nga një kafshë dhe për pasojë është dëmtuar lehtë shtetasi E. G., 40 vjeç, banues në Lifaj, i cili po udhëtonte me karrocën.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë për veprime të mëtejshme procedurale.