Elbasan – “Siguria rrugore, kontribut i të gjithëve”

Viti 2020 është shpallur viti i Sigurisë Rrugore dhe në këtë kuadër Policia Rrugore e Elbasanit vijon takime sensibilizuese, informuese dhe ndërgjegjësuese në të gjitha shkollat e Qarkut Elbasan.

Shefi i Sektorit për Qarkullimin Rrugor në DVP Elbasan, Komisar Artur Sinorukaj, së bashku me specialistët e Qarkullimit Rrugor, në bashkëpunim me stafin pedagogjik të shkollës 9-vjeçare “Seit Pepa” në fshatin Vidhas, Elbasan zhvilloi një bashkëbisedim me nxënësit e kësaj shkolle, mbi pasojat ligjore, shëndetësore dhe ekonomike që sjell mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor nga të gjithë përdoruesit e rrugës, duke i dhënë këshilla si këmbësor, por edhe si drejtues mjetesh në një të ardhmen të afërt.

Ky bashkëbisedim ka ngjallur kureshtjen e fëmijëve, të cilët kanë i drejtuar pyetje të shumta shefit të qarkullimit.

Gjithashtu, nxënësit, të veshur me jelekë fosforeshentë të Policisë, kanë shpërndarë fletëpalosje për drejtuesit e mjeteve, duke i këshilluar për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor, në mënyrë që të gjithë të ndjehemi më të sigurt në rrugë.