Elbasan/Njoftim

Elbasan

Në përfundim të veprimeve hetimore dhe operacionale, në lidhje me tubimin e zhvilluar ditën e djeshme, në Bradashesh, veprime këto të kryera nga strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Elbasan, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, u arrestuan në flagrancë shtetasit A. P., H. L., E. P., të tre banues në Elbasan, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit T. A., Q. A. dhe E. S., të tre deputetë të Partisë Demokratike, si dhe për shtetasit I. K., A. B., B. H., A. B., S. Sh., H. T., D. S., A. K., D. K., A. B., B. T., Y. B., Xh. I., E. Sh., A. M., P. P., A. T., S. P., N. P. dhe Q. Sh., për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Në vijim u shpallën në kërkim shtetasit L. T., G. C. dhe G. Ç., për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Ditën e djeshme, këta shtetas janë grumbulluar në aksin rrugor “Tiranë-Elbasan”, te rrethrrotullimi në Shijon, dhe për rreth 2 orë, kanë penguar qarkullimin e mjeteve në të dyja senset e aksit. Më tej, nga verifikimet ka rezultuar se shtetasit e arrestuar E. P. dhe H. L., si dhe shtetasi i proceduar A. B., kanë lënë 3 automjete në rrugë, me qëllim bllokimin e qarkullimit. 3 automjetet janë lëvizur nga rruga, në përfundim të tubimit, dhe janë sekuestruar nga Policia, ndërsa 1 automjet tjetër është shpallur në kërkim.

Vijon puna për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim, identifikimin e automjetit të katërt që bllokoi qarkullimin, si dhe në drejtimin e Prokurorisë, po hetohet për të identifikuar shtetasit e tjerë të implikuar në paligjshmëri gjatë tubimit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.