Elbasan/Ndëshkohen me masa administrative, 2 drejtues automjetesh

Elbasan

✅ Xhiruan gomat e automjeteve, duke u bërë rrezik për veten dhe për përdoruesit e tjerë të rrugës, ndëshkohen me masa administrative 2 shtetas.

Shërbimet e Policisë Rrugore të Elbasanit, pas publikimit në rrjete sociale të dy videove ku shfaqen automjete që xhirojnë gomat në rrugë, duke u bërë rrezik për veten dhe për përdoruesit e tjerë të rrugës, kanë kryer menjëherë verifikimet dhe kanë identifikuar drejtuesit e automjeteve.

Nga veprimet hetimore u identifikuan shtetasit A. Ll. dhe A. D., të cilët janë ndëshkuar secili me masën administrative 40 000 lekë të rinj, bazuar në pikat 3, 5 dhe 8 të nenit 139 të Kodit Rrugor.

✅Gjithashtu, bazuar në një tjetër video të publikuar në rrjete sociale, ku shfaqet një automjet që nuk i jep përparësi këmbësorëve në vijat e bardha, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor kanë kryer verifikimet përkatëse, kanë identifikuar drejtuesin e këtij automjeti dhe e kanë ndëshkuar atë, me masën administrative 2 000 lekë të rinj, bazuar në pikat 2 dhe 4 të nenit 189 të Kodit Rrugor.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan fton qytetarët që të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, në numrin pa pagesë 112, duke i garantuar se reagimi do të jetë i menjëhershëm dhe në përputhje me ligjin.