Elbasan
Finalizohet operacioni policor i koduar “Start 2022”, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve, Forca Operacionale në DVP Elbasan dhe Komisariati i Policisë Peqin.
Sekuestrohen arsenal armësh, municion luftarak, granatë difensive, thikë, lëndë narkotike dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Vihen në pranga 3 persona, shpallet në kërkim 1 tjetër.
Në zbatim të planit të masave për parandalimin e ngjarjeve kriminale, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, kapjen e personave në kërkim apo atyre që qarkullojnë me armë zjarri e lëndë narkotike, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se në afërsi të një lokali në Peqin, disa persona posedonin armë zjarri, menjëherë është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Start 2022”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
S. D., 21 vjeç, banues në Peqin, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Ky shtetas ka qenë i dënuar më parë për krime kundër personit;
A. Ç., 43 vjeç, banues në Peqin, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Ky shtetas ka qenë i dënuar më parë për vjedhje;
M. D., 20 vjeç, banues në Peqin, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shperthyese dhe i municionit”.
Si dhe u shpall në kërkim, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” shtetasi E. T., 20 vjeç, banues në Peqin.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, në bazë të informacioneve operative të grumbulluara, pas ndjekjes me metoda proaktive, në lagjen ”Xhami” të qytetitit të Peqinit, në një magazinë, kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e një arsenali armësh, konkretisht një kallashnikov, dy pistoleta, një armë gjahu shotgun, një thkë, një bajonetë, një grantë difensive, një ndezës, municion luftarak, dy palë targa, një sasi të vogël lënde narkotike dhe fara kanabisi.
Në vijim të veprimeve u arrestuan në flagrancë shtetasit e mësipërm, të cilët dyshohet se janë poseduesit e armëve, pasi në momentin që kanë parë policinë dyshohet se kanë tentuar të fshehin armët në vendin ku u gjetën nga shërbimet e policisë.
Gjithashtu janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale automjeti “Opel Frontera” dhe 1 aparat celular.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se armët e zjarrit mund të jenë përdorur në ngjarje kriminale kundër jetës dhe pronës.
Armët e sekuestruara janë dërguar për veprime të mëtejshme në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë.
Materialet i kaluan për veprimeve të mëtejshme hetimore, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.