Policia e Shtetit
Operacioni “Para drejtësisë”, ekstradohet nga Suedia, pjesëtari i një grupi të strukturuar kriminal.
Grupi ku bënte pjesë ky shtetas, gjatë viteve 2020 dhe 2021, ka transportuar emigrantë, drejt shteteve të BE-së, ilegalisht, me skaf.
Si rezultat i koordinimit të informacioneve dhe veprimeve policore, ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Suedi, u finalizua procedura për ekstradimin në Shqipëri të shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, të arrestuar në Suedi, K. K. alias K. M., 34 vjeç, i lindur në Fier.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në vitin 2022, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal.
Shtetasi K. K. alias K. M. akuzohet se gjatë periudhës 2020-2021, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka transportuar ilegalisht me skaf drejt Italisë dhe shteteve të tjera, kundrejt fitimeve, emigrantë sirianë, egjiptianë dhe iranianë.