Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Selenicë, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, u bë kapja dhe ekzekutimi i urdhrit të Prokurorisë për ndalimin e shtetasit S. H., 59 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, me vendimin e datës 14.01.2022, i ka caktuar 59-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Më datë 20.06.2021, nga strukturat e DVP Vlorë, në fshatin Peshkëpi, Selenicë, në afërsi të banesës së këtij shtetasi, janë gjetur të kultivuara bimë narkotike cannabis sativa. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se 59-vjeçari është autor i kësaj veprimtarive kriminale.
—
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Vlorë, në vijim të masave për mbarëvajtjen e sezonit turistik, gjatë kontrolleve të ushtruara në Karaburun dhe në plazhin e Orikumit, kanë konstatuar 3 subjekte të cilat ushtronin aktivitetin si “Stacion Plazhi”, pa kontratë me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit.
Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”, për shtetasit V. B., 41 vjeç, P. N., 41 vjeç dhe P. Ç., 65 vjeç, të tre administratorë të 3 subjekteve “Stacion Plazhi” në Karaburun dhe Orikum.
—
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Vlorë, kanë evidentuar dhe goditur 3 raste të veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve naktoike, për të cilat u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasit:
-E. A., 38 vjeç, pasi në lagjen “24 Maji”, Vlorë, gjatë kontrollit fizik, i është gjetur dhe sekuestruar një sasi e vogël lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sattiva;
-A. S., 24 vjeç, pasi në lagjen “Kushtrim”, gjatë kontrollit në automjetin që ky shtetas drejtonte, i është gjetur dhe sekuestruar një sasi e vogël lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sattiva;
-M. M., 37 vjeç, pasi në lagjen ‘’24 Maji’’, Vlorë, gjatë kontrollit fizik i është gjetur dhe sekuestruar një sasi e vogël lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sattiva.
—
Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Selenicë u referuan materialet në Prokurori për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje”, pasi ka bërë kallëzim shtetasi D. Q., 42 vjeç, se ditën e djeshme, në fshatin Vllahinë, Selenicë, është goditur me grushte nga 3 shtetas të paidentifikuar. Punohet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.