Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Vlorë referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për shtetasin K. K., banues në Vuno, Himarë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, pasi, në aksin rrugor Himarë–Vlorë, është konstatuar duke transportuar në mjetin e tij Taxi, 2 emigrantë.
Specialistët e Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Himarë referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për shtetasen M. B., banuese në fshatin Tërbaç, Himarë, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, pasi ka kallëzuar shtetasja V. B., 41 vjeçe, banuese në fshatin Tërbaç, Himarë, se shtetasja M. B. e ka goditur me gurë dhe për pasojë e ka dëmtuar në kokë.
Specialistët e Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin Dh. T., 29 vjeç, banues në lagjen nr.1, Sarandë, për veprën penale “Vjedhja”, pasi u kap në flagrancë duke shkatërruar një portë të vjedhur më datë 31.05.2022, tek spitali i Sarandës.
Oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë ekzekutuan urdhrin e ndalimit të datës 01.06.2022, dhënë nga prokurorët e Rrethit Gjyqësor Sarandë, ndaj shtetasve A. A., 54 vjeç, P. Zh., 40 vjeç dhe R. A., 33 vjeçe, banues në Sarandë, pasi këta shtetas akuzohen se kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, si dhe ekzekutuan urdhrin e ndalimit ndaj shtetasve V. Ll., 54 vjeç, F. M., 61 vjeç, dhe A. C., 57 vjeçe, banues në Sarandë, pasi në ngarkim të këtyre shtetasve, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë ka ngritur akuzë për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”. Gjithashtu në bazë të urdhrave të ndalimit, po nga oficerët e Policisë Gjyqësore u bë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasve B. M., 40 vjeç, banues në Sarandë, pasi akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, dhe B. M., 50 vjeç, banues në Sarandë, pasi akuzohet se ka kryer veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.