DVP Vlorë/Vihen në pranga 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale

DVP Vlorë/Vihen në pranga 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin A. L., 54 vjeç, banues në Ksamil, pasi më datë 31.05.2025, është konstatuar se në mënyrë të përsëritur ka dhunuar banesën e shtetases B. L., 38 vjeçe, banuese në Ksamil, e cila është e pajisur me certifikatë pronësie për këtë banesë. Ky shtetas dyshohet se ka hapur me forcë dhe ndërruar bravën e portës, si dhe ka instaluar e vendosur kamera sigurie dhe një portë të re, në banesën e 38-vjeçares.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin A. Z., 30 vjeç, banues në Vlorë, pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë jashtë banesës, duke thyer masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vjedhja”.

Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Vlorë arrestuan shtetasin E. B., 48 vjeç, banues në Vlorë, pasi u konstatua nga shërbimet, në rrugën “Pelivan Leskaj”, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.