DVP Vlorë/Siguria rrugore, prioritet gjatë sezonit turistik.
Intensifikohen kontrollet gjatë 10 ditëve të para të qershorit, arrestohen/procedohen penalisht 16 drejtues mjetesh dhe vihen mbi 1600 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.
Në kuadër të masave për rritjen e sigurisë rrugore dhe menaxhimin e fluksit në zonat turistike, strukturat e Qarkullimit Rrugor në Vlorë dhe në Sarandë kanë intensifikuar kontrollet në akset kryesore urbane dhe interurbane, gjatë 10 ditëve të para të qershorit.
Kontrollet janë përqendruar në parandalimin e shkeljeve që përbëjnë rrezik për jetën e përdoruesve të rrugës, si dhe në garantimin e një ambienti të sigurtë për qytetarët dhe vizitorët që frekuentojnë bregdetin.
Si rezultat i kontrolleve, u arrestuan/proceduan gjithsej 16 drejtues mjetesh, për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.
Gjithashtu, janë vënë 1683 masa administrative, për shkelje të tilla si: tejkalimi i shpejtësisë, parakalime të gabuara, mosvënia e rripit të sigurimit, përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit, mosvendosja e kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve, drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit, si dhe shkelje të tjera në kundërshtim me dispozitat e Kodit Rrugor.
Strukturat e Policisë Rrugore do të vijojnë kontrollet e shtuara gjatë gjithë sezonit veror, në të gjithë qarkun Vlorë, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.
✅ Respekto rregullat! Mbro veten dhe të tjerët! Bashkëpunoni me Policinë, denonconi çdo shkelje që rrezikon jetën në rrugë.