DVP Vlorë
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, pas 3 javësh hetime, operacioni policor i koduar “Tranzit”.
Magazinonin mallra të dyshuara të kontrabanduara dhe fshihnin të ardhurat e përfituara nga shitja e tyre, vihet në pranga 34-vjeçari, punohet për kapjen e bashkëpunëtores së tij.
Sekuestrohen mallra (veshje, çanta) të kontrabanduara, me vlerë 25 000 euro.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave, pas 3 javësh hetime për një rast në këtë fushë, organizuan dhe finalizuan në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, operacionin policor të koduar “Tranzit”.
Si rezultat i këtij operacioni, u kap dhe u vu në pranga shtetasi A. L., 34 vjeç, banuese në Vlorë, dhe u shpall në kërkim shtetasja E. B., 29 vjeç, banuese në Vlorë.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetases E. B., në lagjen “Uji i Ftohtë”, ku kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, veshje dhe çanta me vlerë 25 000 euro, pa fatura tatimore shoqëruese apo deklarata doganore për origjinën e tyre.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasja E. B. bashkëpunonte me shtetasin A. L., për magazinimin e mallrave të dyshuara të kontrabanduara, të cilat i shitnin me pakicë në mënyrë të kundërligjshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.