Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në DVP Vlorë u proceduan penalisht për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”, shtetasit:
P. P., 41 vjeç, K. H., 35 vjeç dhe F. F., 53 vjeç, të tre banues në Vlorë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në dyqanet që administrohen prej tyre, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasi të ndryshme me paketa cigaresh pa pullë fiskale, të cilat i tregtonin pa deklaruar të ardhurat në organet tatimore.
Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë proceduan penalisht për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, shtetasen N. B., 66 vjeçe, banuese në Sarandë, pasi është konstatuar duke ndërtuar një objekt, pa lejen e organeve kompetente.
Po nga specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë u procedua penalisht për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, një shtetase e mitur 15 vjeçe, pasi për motive të dobta, ka kanosur me thikë bashkëmoshataren e saj.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, shtetasin L. M., 29 vjeç, banues në fshatin Metoq, bashkia Sarandë, pasi konstatua nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.