DVP Vlorë / Vijojnë goditjet kundër krimeve ndaj pronës , arrestohen 3 shtetas për vjedhje të ndodhur në Vlorë dhe Sarandë
Në vijim të punës për zbardhjen e rasteve të vjedhjeve dhe si rezultat i veprimeve intensive hetimore, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e 3 shtetasve të dyshuar për vepra penale kundër pronës.
Në lidhje me një rast vjedhjeje me dhunë, të ndodhur më datë 30.03.2026, rreth orëve të mbrëmjes, në lagjen “1 Maji”, në qytetin e Vlorës, u arrestuan dy autorët e dyshuar, të cilët i kanë vjedhur me dhunë portofolin me një shumë parash shtetases J. K., 39 vjeçe, banuese në Vlorë.
Shtetasit e arrestuar janë:
-B. T., 18 vjeç;
-një 16-vjeçar;
të dy banues në Vlorë.
Gjatë kontrollit ndaj tyre, specialistët e seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, gjetën dhe sekuestruan shumën monetare të vjedhur, në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Vlorë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë, e kryer në bashkëpunim”.
Gjithashtu, më datë 30.03.2026, rreth orëve të pasdites, në qytetin e Sarandës, një shtetas ka vjedhur nga automjeti i shtetasit L. T. një çantë dore me sende personale.
Falë reagimit të shpejtë dhe punës së mirëorganizuar të Policisë, u bë i mundur arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar:
N. Ç., 66 vjeç, banues në Sarandë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Sarandë për veprën penale “Vjedhja”.
