DVP Tiranë/Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin, operacioni policor i koduar “Last call”.
Zbulohet një tjetër ambient i përshtatur për call center.
Vihen në pranga 2 shtetas të cilët administronin këtë ambient (call center), përmes të cilit mashtronin shtetas të huaj, për të investuar në bursa fiktive.
Sekuestrohen 5 laptopë dhe 2 aparate celularë, që përdoreshin për këtë veprimtari kriminale.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin, pas një pune të mirëfilltë hetimore, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Last call”.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit O. V., 35 vjeç, dhe A. B., 32 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas administronin një subjekt të palicencuar, me aktivitet të padeklaruar në organet kompetente, në Rrugën e Barrikadave, të cilin e kishin përshtatur si call center. Ata, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, telefononin shtetas të huaj dhe, përmes mashtrimit, i bindnin ata të investonin në bursa fiktive.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.