DVP Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Cigarette”

DVP Tiranë

Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare operacioni policor i koduar “Cigarette”.

Goditet 1 rast i shitjes së mallrave të dyshuara të kontrabanduara. Sekuestrohen 1115 paketa cigare, pa pullë fiskale.

Vihet në pranga pronari i një subjekti (tabachino), në rrugën “Xhanfize Keko”.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave, si rezultat i një pune hetimore të kryer mbi bazën e informacioneve të siguruara, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Cigarette”.

Gjatë operacionit u ushtrua kontroll në dyqanin (tabachino) të shtetasit D. M., ku rezultoi se shiteshin paketa cigare të dyshuara të kontrabanduara dhe fshiheshin të ardhurat e përfituara nga kjo veprimtari.

Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi D. M., 52 vjeç (pronari i dyqanit).

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1115 paketa cigare, pa pullë fiskale, të gjetura gjatë kontrollit të dyqanit dhe të banesës së 52-vjeçarit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.