Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
Vihen në pranga 3 shtetas, për veprat penale “Mashtrimi”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Sekuestrohen katër njësi kompjuterike dhe aparate celulare.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Fraud”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– Gj. Rr., 27 vjeç, R. M., 30 vjeç, banues në Tiranë;
– G. M., 26 vjeç, banues në Elbasan.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas, duke qenë të punësuar në një call center në rrugën “Sulejman Delvina”, prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe i mashtronin shtetasit e huaj, që të investonin në Forex.
Gjatë ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, këta shtetas, për të penguar zbulimin e kësaj veprimtarie kriminale, kanë fikur serverin kryesor, me qëllim që të fshihnin të dhënat.
Në vijim të operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale katër njësi kompjuterike, aparate celulare dhe lista me të dhënat e personave që dyshohen se janë mashtruar nga tre të rinjtë e arrestuar.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në të.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.