DVP Kukës, gjatë 24 orëve të fundit

DVP Kukës

Në vijim të hetimeve, të kryera në drejtimin e Prokurorisë, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në një lokal në qytetin e Kukësit, ku dyshohet se u vetëplagos aksidentalisht shtetasi B. P., i cili vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës, arrestuan në flagrancë shtetasit:

B. P., 19 vjeç, banues në Kukës, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpêrthyese dhe i municionit”;

– S. C., 54 vjeç (pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja), A. G., 28 vjeç, M. S., 30 vjeç dhe F. A., 37 vjeç, të gjithë banues në Kukës, si dhe shpallën në kërkim shtetasin A. K., 28 vjeç, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Vijojnë hetimet për dokumentimin ligjor të rastit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimit pa leje, veçanërisht në zonat e mbrojtura, si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve që kryhen vazhdimisht në terren, në bashkëpunim me inspektorët e IMT-së, kanë evidentuar 4 raste të ndërtimit pa leje. Për këto raste u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit: A. S., B. S., A. S. dhe V. S., të gjithë banues në fshatin Valbonë, pasi kishin ndërtuar objekte, në këtë fshat, pa leje nga organet kompetente.

Më datë 26.11.2024, në Komisariatin e Policisë Kukës, ka bërë kallëzim shtetasi M. E., banues në Kukës, se djali i tij 17 vjeç, është larguar nga banesa. Shërbimet e Policisë po ushtrojnë kontrolle për gjetjen e tij.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.