DVP Kukës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Muzgu”, për goditjen e kontrabandës së mallrave për të cilat paguhet akcizë.
Operacioni, nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Tropojë.
Kontrabandoi nga Kosova, 103 kuti me pije alkoolike dhe energjike, arrestohet në flagrancë 54-vjeçari (drejtuesi i automjetit ku u gjetën kutitë me pije).
Arrestohet në flagrancë edhe doganieri i PKK Qafë Morinë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi dyshohet se nuk ka kryer veprimet doganore për këtë rast.
Sekuestrohen kutitë me pije dhe automjeti i 54-vjeçarit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, në vijim të punës për goditjen e rasteve të kontrabandës së mallrave, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një rast paligjshmërie në këtë fushë, kanë organizuar punën në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Tropojë dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Muzgu”.
Gjatë operacionit, në hyrje të PKK Qafë Morinë, si rezultat i kontrollit të ushtruar nga shërbimet e DVP Kukës, në automjetin me drejtues shtetasin A. K., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 103 kuti me pije alkoolike dhe energjike (mallra për të cilat paguhet akcizë), të kontrabanduara në Shqipëri.
Në përfundim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi A. K., 54 vjeç, banues në Bajram Curri.
Gjithashtu, u arrestua në flagrancë shtetasi D. S., 46 vjeç, banues në Zogaj, Tropojë, me detyrë doganier pranë PKK Qafë Morinë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke mos kryer veprimet doganore ndaj mjetit tip “Volkswagen” me drejtues shtetasin A. K., i cili transportonte mallrat nga Kosova drejt Shqipërisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Tregtimi dhe shitja e mallrave kontrabandë” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.