DVP Kukës/Finalizohet operacioni i koduar “Start 2”, arrestohen 3 shtetas

DVP Kukës

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Start 2”.

Operacioni nga DVP Kukës, nën drejtimin e Prokurorisë dhe me mbështetjen e Forcës së Posaçme në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.

Kapen me drogë, vihen në pranga 3 shtetas.

Sekuestrohen 471.5 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë.

Strukturat e DVP Kukës, pas një hetimi 3-mujor, bazuar edhe në informacionet e grumbulluara në rrugë operative se disa shtetas merreshin me veprimtari kriminale në fushën e shitblerjes së lëndëve narkotike, organizuan punën dhe, nën drejtimin e Prokurorisë Kukës, si dhe me mbështetjen e Forcës së Posaçme në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, zhvilluan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Start 2”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:

-A. I., 22 vjeç
-E. K., 20 vjeç
-H. E., 60 vjeç, banues në Kukës.

Këta shtetas u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në lokalin e shtetasit H. E., ku gjatë kontrollit në lokal u gjetën dhe u sekuestruan 459 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, si dhe 12.5 gramë kokainë e ndarë në doza gati për shitje.

Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.