Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit J. M., 51 vjeç, banues në Pogradec, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, “Vjedhja” dhe “Kanosja”.
Shtetasi i mësipërm, dje në lagjen nr.1, Pogradec, duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin tip “Benz”, për motive të dobëta ka kërcënuar me thikë dhe i ka marrë biçikletën një 15-vjeçari, e cila iu gjet në banesë dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Po nga këta specialistë u referuan materialet në Prokurori dhe u shpall në kërkim shtetasi E. K., 33 vjeç, banues në Pogradec, për veprën penale “Vjedhja”, pasi në banesën e shtetasit S. D., 45 vjeç, në Pogradec, dyshohet se ka vjedhur një armë gjahu teke, një telefon celular dhe dy bizhuteri floriri.
—
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit D. T. dhe E. K., banues në Maliq, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, pasi në lagjen nr. 1, Maliq, u kapën duke kryer punime ndërtimi pa leje.
Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Pogradec e Korçë, për veprime të mëtejshme.