DVP Korçë/Vihen në pranga 4 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale

DVP Korçë/Vihen në pranga 4 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë vunë në pranga shtetasin M. K., 25 vjeç, banues në Pogradec, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale, fishekë luftarak, një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, një sasi të vogël përzierje lëndësh narkotike (prekrusor) dhe një portofol me stemën e Policisë. 25-vjeçari gjithashtu ka kundërshtuar me forcë punonjësit e Policisë, për të mos i kryer kontrollin fizik.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq arrestuan në flagrancë shtetasin B. M., 49 vjeç, banues në fshatin Vloçisht, Maliq, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj xhaxhait të tij, i cili u pajis me urdhër mbrojtjeje.

Specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban të DVP Korçë arrestuan në flagrancë shtetasit I. P., 23 vjeç dhe L. P., 40 vjeç, të dy banues në fshatin Turan, Korçë, pasi dje, në aksin rrugor “Korçë-Ersekë”, në afërsi të fshatit Dvoran, shtetasi I. P. ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit i cili ka dalë nga rruga dhe si pasojë, ka shkaktuar dëme materiale. Ndërkaq, shtetasi L. P. ka përkrahur 23-vjeçarin dhe ka deklaruar se ka qenë ai drejtuesi i automjetit që u përfshi në këtë aksident rrugor.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin E. S., 31 vjeç, banues në Pogradec, pasi në lagjen nr. 2, Pogradec, dyshohet se për shkak të një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me grushte dhe ka dëmtuar lehtë, me mjet prerës, një 30-vjeçar. Vijon puna për kapjen e shtetasit E. S.

Më datë 19.08.2023, në fshatin Arëz, Devoll, dyshohet se për shkak të një shkarkese elektrike, ka rënë zjarr dhe është djegur një sipërfaqe pyjore. Vijojnë hetimet për të provuar ligjërisht rrethanat e këtij rasti.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.