DVP Korçë – Vihen në pranga 3 shtetas, njëri prej tyre në vijim të operacionit “Perimetri”

DVP Korçë

Vihen në pranga 3 shtetas, njëri prej tyre në vijim të operacionit “Perimetri”, i cili u kap duke transportuar emigrantë të paligjshëm dhe duke drejtuar mjetin pa leje drejtimi.

Procedohen penalisht edhe 3 shtetas të tjerë për prerje të paligjshme të pyjeve.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë, Policinë Kufitare dhe Policinë Rrugore në vijim të operacionit policor të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. M., 24 vjeç, banues në Durrës.

Ky shtetas u konstatua nga shërbimet e Policisë Rrugore, në aksin rrugor Korçë-Pogradec, duke transportuar me mjetin tip “Volvo”, 3 emigrantë të paligjshëm të cilëve kundrejt shpërblimit 200 euro secilit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Nga verifikimet e kryera rezultoi se drejtuesi i mjetit shtetasi S. M., drejtonte mjetin pa leje drejtimi.
———–
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. T., 51 vjeç, banues në fshatin Rëmenj, Pogradec, pasi më datë 21.09.2021, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, ky shtetas ka kanosur bashkëshorten e tij shtetasen M. T., 43 vjeçe.
———–
Specialistët e Sektorit për Policinë Rrugore në DVP Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetases L. B., 32 vjeçe, pasi sot në orët e para të mëngjesit, pranë kryqëzimit të fshatit Goskovë, Korçë, kjo shtetase duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin tip “Suzuki”, ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka dalë nga rruga, ku për pasojë ka marrë dëmtime shtetasi F. C., pasagjer në mjet, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
———-
Gjithashtu filloi procedimi penal për shtetasit E. J., 39 vjeç, banues në fshatin Rëmenj, Pogradec, F. E., 39 vjeç, banues në Ersekë, Kolonjë dhe I. K., 46 vjeç, banues në Maliq, pasi këta shtetas janë konstatuar nga shërbimet e policisë konkretisht në afërsi të fshatit Dardhas, Pogradec, në fshatin Qinam, Kolonjë dhe në Maliq, duke transportuar me mjetet e tyre sasi lëndë drusore pa lejen përkatëse.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Pogradec e Korçë për veprime të mëtejshme.