DVP Korçë – Vihen në pranga 3 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 3 të tjerë

DVP Korçë/Vihen në pranga 3 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 3 të tjerë, për vepra të ndryshme penale.
  
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë shtetasit:

-L. P., 25 vjeç, banues në Pogradec, pasi u kap jashtë banesës së tij, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;

-M. C., 64 vjeç, banues në fshatin Buçimas, Pogradec, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj ish-bashkëshortes së tij, të cilën e ka goditur me një mjet pune.

Po këta specialistë referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Ç. J., banues në fshatin Vërdovë, Pogradec, pasi në fshatin Guras, me vetëgjyqësi ka tentuar të largojë forcërisht nga banesa, vëllain e tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin L. R., 35 vjeç, banues në Korçë, pasi u kap jashtë banesës së tij, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Po këta specialistë referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. B., 42 vjeç, banues në fshatin Ravonik, Korçë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.

Gjithashtu u referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. Y., 36 vjeç, banues në fshatin Goskovë Poshtë, Korçë, pasi në fshatin Neviçisht, Korçë, në ambientin e jashtëm të një magazine, të marrë në përdorim prej tij, ka djegur disa mbeturina bimore dhe plastike, duke ndotur ajrin.

Materialet procedurale i kaluan prokurorive të rretheve gjyqësore Pogradec e Korçë, për veprime të mëtejshme.