DVP Korçë/Procedohen në gjendje të lirë 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit:
-L. H., 28 vjeç, banues në Korçë, pasi në lagjen nr. 16, Korçë, gjatë kontrollit në automjetin e tij tip “Porsche”, u gjet një mjet i mprehtë (sëpatë) dhe dy mjete të tjera të dyshuara si armë të ftohta, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale;
-M. F., 46 vjeç, banues në fshatin Moravë, Korçë, pasi për motive të dobëta, dyshohet se ka goditur me sende të forta, në kokë, një 51-vjeçar, i cili pasi mori mjekim në spitalin e Korçës, u largua në banesë;
-E. B., 38 vjeç, banues në Korçë, pasi në lagjen nr. 8, Korçë, në lokalin e tij, ka prishur qetësinë publike dhe nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ulur volumin e muzikës, që e mbante në kundërshtim me ligjin.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit:
-A. H., 45 vjeç, banues në Maliq, sepse dyshohet që pas një konflikti për motive të dobëta, i ka hyrë me forcë në banesë dhe ka goditur me grushte, një 30-vjeçar;
-S. D., 39 vjeç, banues në fshatin Pirg, Maliq, i punësuar në një firmë, pasi në aksin rrugor “Maliq-Lozhan”, tek vendi i quajtur “Ura e Strelcës”, duke drejtuar një mjet ekskavator, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe mjeti ka dalë nga rruga. Për pasojë drejtuesi ka marrë dëmtime fizike dhe ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Nga verifikimet e kryera rezultoi se 39-vjeçari kishte shkelur rregullat e mbrojtjes në punë;
-P. Th., 28 vjeç dhe B. Th., 54 vjeç, banues në fshatin Zvirinë, Maliq, pasi dyshohet që gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me grushte, në fytyrë, një 57-vjeçar, në fshatin Zvirinë.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. P., 19 vjeç, banues në Pogradec, pasi në rrugën “Rinia”, Pogradec, dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj ish-bashkëjetueses së tij.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.