Në vijim të operacionit policor të koduar “Basti i fundit”, për goditjen e organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit L. M., 52 vjeç; Gj. Xh., 46 vjeç dhe F. R., 27 vjeç, banues në Pogradec, për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në një ambient në lagjen nr. 3, Pogradec, konstatuan shtetasit e mësipërm duke luajtur bixhoz me zare. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një shumë parash, si dhe sende të tjera të kundërligjshme që shërbenin për këtë aktivitet.
—
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Korçë referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin G. H., 45 vjeç, banues në Fier, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, shërbimet e Policisë, gjatë procedurës së skanimit të kamionit tip “Iveco” që ky shtetas drejtonte, panë të fshehur një emigrant të paligjshëm, i cili synonte kalimin drejt vendeve të BE-së.
—
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Devoll referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin E. M., 63 vjeç, banues në fshatin Miras, Devoll, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, pasi në afërsi të fshatit Miras, u gjet e braktisur një rimorkio pa targa, me posedues këtë shtetas, e cila ishte ngarkuar me lendë drusore, pa lejen përkatëse.
Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Pogradec e Korçë, për veprime të mëtejshme.