DVP Korçë/Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Përplasi automjetin me të cilin po transportonte kundrejt fitimit, 13 emigrantë nga Vendet e Treta, me një automjet tjetër, dhe u largua nga vendngjarja, për t’iu shmangur përgjegjësisë ligjore, kapet dhe vihet në pranga 58-vjeçari (shtetas italian).
Sekuestrohet automjeti me të cilin po transportoheshin emigrantët dhe 1 celular.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec dhe shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Korçë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt pagesës, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, goditën një tjetër rast. Si rezultat u arrestua në flagrancë shtetasi italian:
-M. C., 58 vjeç, banues në Itali.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec dhe ato të Sektorit të Policisë Rrugore, në vendin e quajtur “Gurorja”, në afërsi të fshatit Vërdovë, Pogradec, konstatuan automjetin tip “Volvo” që ishte përplasur me një automjet tjetër, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Drejtuesi i automjetit tip “Volvo”, për të shmangur përgjegjësinë, ishte larguar nga vendi i aksidentit. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij u gjetën 13 emigrantë nga Vendet e Treta, të cilët nga hetimet e kryera, rezulton se drejtuesi i automjetit, shtetasi M. C. iu kishte premtuar transportimin drejt BE-së, kundrejt fitimit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti tip “Volvo” dhe 1 aparat celular.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të implikuar në të.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.