DVP Korçë/Goditen 2 raste të veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit

DVP Korçë

Vijojnë kontrollet në të gjithë territorin e qarkut Korçë, për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit.

Goditen 2 raste të tjera të kësaj veprimtarie, në vijim të operacionit policor të koduar “Qarku”, të zhvilluar 4 ditë më parë.

Vihet në pranga pronari i një lokali dhe procedohet penalisht 26-vjeçari që e kishte punësuar në mënyrë të paligjshme, pasi organizonin lojëra fati, në lokal.

Procedohet penalisht edhe 1 shtetas tjetër, për këtë veprimtari të paligjshme.

Sekuestrohen 3 celularë.

Si rezultat i kontrolleve të kryera në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, në vijim të operacionit policor të koduar “Qarku”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë kanë zbuluar 2 lokale në lagjen nr. 8 në qytet, ku organizoheshin lojëra fati.

Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste:
-u arrestua në flagrancë për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra fati” dhe “Punësimi i paligjshëm”, shtetasi L. Dh., 32 vjeç, banues në Korçë, pronari i një lokali ku organizoheshin lojëra fati;
-nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, për shtetasin M. S., 26 vjeç, banues në Korçë, i punësuar në mënyrë të paligjshme në lokalin e shtetasit L. Dh.
Gjatë këqyrjes së celularëve të këtyre dy shtetasve, u gjetën faqe aktive për baste sportive.

-Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, për shtetasin H. L., 30 vjeç, banues në Korçë, pasi në ambientet e lokalit ku qëndronte, gjatë këqyrjes së celularit të tij, u gjetën faqe aktive për baste sportive.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 celularët.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.