DVP Korçë, gjatë 24 orëve të fundit

DVP Korçë

Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, për një aksident të ndodhur në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, në afërsi të fshati Zvirinë, ku ngelën të dëmtuar dy shtetas, ju informojmë se Sektori i Policisë Rrugore arrestoi në flagrancë shtetasin G. K., 53 vjeç, banues në fshati Vashtëmi, Maliq, për veprën penale ” Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Gjithashtu arrestoi në flagrancë shtetasin M. L., 23 vjeç, banues në fshatin Hoçisht, Devoll, për veprat penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”, pasi duke drejtuar një automjet tip “Land Rover”, me karroceri, ka rënë nga karroceria e këtij mjeti një shtetas i mitur, i cili aktualisht po merr ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Komisariati i Policisë Korçë referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin D. D., 37 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj vajzës së tij të mitur e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.

Sektori për Hetimin e Narkotikëve referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin J. A., 19 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtuar u gjetën dhe u sekuestrua një sasi lënde narkotike cannabis sativa.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.