DVP Korçë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Voskopi”.
Zbulohet një magazinë me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, ku thaheshin bimë narkotike dhe përgatitej lëndë narkotike për t’u shitur.
Kapen në flagrancë në ambientet e magazinës, 7 shtetas.
Arrestohen pronari i magazinës dhe bashkëpunëtori i tij.
Në pranga edhe 2 shtetas, si dhe në hetim 3 shtetase, për moskallëzim të krimit.
Shpallet në kërkim 1 shtetas, i dyshuar i përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Sekuestrohen 195 kg lëndë narkotike cannabis sativa (bimë në proces tharjeje), që u gjetën në ambientet e magazinës dhe pajisje që shërbenin për tharjen dhe përgatitjen e lëndës narkotike për shitje.
Sekuestrohen edhe 1 armë zjarri pistoletë, një sasi kokaine, 1 leje drejtimi false, 7 celularë, 1 automjet, 1 pasaportë, 3 karta SIM dhe një shumë eurosh.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Korçë, gjatë kontrolleve intensive në territor dhe në ambiente të mbylluara, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, kanë siguruar informacion për përshtatjen e një ambienti për tharjen e bimëve narkotike dhe përgatitjen e lëndës narkotike për shitje. Shërbimet e Policisë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Voskopi”, kanë ndërhyrë menjëherë në ambientet e magazinës në pronësi të shtetasit A. D., në fshatin Voskop, ku kapën në flagrancë dhe arrestuan shtetasit:
A. D., 43 vjeç, banues në fshatin Voskop, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Vjedhja e energjisë elektrike dhe impulseve telefonike”;
G. G., 43 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtje pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”;
A. B., 43 vjeç, banues në fshatin Bulgarec dhe R. H., 35 vjeç, banues në Cërrik, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Gjithashtu, në ambientet e magazinës, u kapën në flagrancë 3 shtetase për të cilat nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Në vijim të hetimeve u identifikua si i përfshirë në këtë veprimtari kriminale dhe u shpall në kërkim shtetasi S. D., 38 vjeç, banues në fshatin Voskop. Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën të kultivuara 2 bimë narkotike, si dhe sasi të vogla të lëndëve narkotike kokainë dhe kanabis.
Vijon puna për kapjen e këtij shtetasi dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.