DVP Korçë/Vijojnë operacionet për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt pagesës, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Midnight 19”.
U kap në flagrancë duke transportuar me kamion, kundrejt pagesës, 36 shtetas të huaj që do të kalonin ilegalisht kufirin, vihet në pranga 50-vjeçari.
Shpallet në kërkim një 28-vjeçar, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale.
Sekuestrohen automjeti kamion, 2 aparate celulare dhe shuma parash.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Korçë, në bashkëpunim me AMP Korçë-Elbasan, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Midnight 19”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:
-A. M., 50 vjeç, banues në Krujë.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori dhe u shpall në kërkim shtetasi E. D., 28 vjeç, banues në fshatin Belorta, Korçë.
Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, për një shtetas që do të transportonte kundrejt pagesës, shtetas të huaj, me qëllim që ata të kalonin ilegalisht kufirin, organizuan veprimet dhe në aksin rrugor “Pogradec-Qafë Thanë”, pranë fshatit Memëlisht, bënë të mundur lokalizimin e automjetit të dyshuar. Gjatë kontrollit në automjetin kamion tip “Daf”, me drejtues shtetasin A. M., u gjetën 36 emigrantë të paligjshëm. Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se 50-vjeçari do t’i transportonte emigrantët, në bashkëpunim me shtetasin E. D., kundrejt pagesës, me qëllim që të kalonin ilegalisht drejt vendeve të BE-së.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti, 2 aparate celulare dhe shuma parash.
Vijon puna për kapjen e shtetasit E. D.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.