DVP Gjirokastër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Last night”.
Shfrytëzonin një 26-vjeçare për prostitucion, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas.
Procedohen penalisht 2 shtetas të tjerë për moskallëzim krimi.
Sekuestrohet një shumë parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme dhe 6 celularë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Memaliaj, si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të prostitucionit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Last night”.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasit R. L., dhe K. D., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shfrytëzonin për prostitucion një 26-vjeçare nga Berati, e cila e ushtronte prostitucionin në qytete të ndryshme.
Në përfundim të veprimeve, u ndaluan shtetasit R. L., 27 vjeç banues në Tiranë dhe K. D., 31 vjeç, banues në Grabjan, Divjakë, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, nisi procedimi penal për shtetasit H. I., 40 vjeç, banues në Tropojë dhe R. N., 36 vjeç, banues në Libofshë, Fier, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi kishin dijeni për këtë rast dhe nuk kishin kallëzuar.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një shumë parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme, si dhe 6 celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.