DVP Gjirokastër/Finalizohet operacioni i koduar “Autenticiteti”

DVP Gjirokastër/Finalizohet si rezultat i një hetimi disamujor, operacioni i koduar “Autenticiteti”. Goditen 3 raste të përdorimit të dokumenteve false.

✅Kishte siguruar certifikata false, për 16 kamionët në subjektin e tij, që me to të kryente transport ndërkombëtar mallrash, arrestohet 51-vjeçari.

✅Në pranga dhe 2 shtetas që posedonin 4 dokumente shkollore false.

Sekuestrohen 20 dokumentet.

Si rezultat i një hetimi të kryer me metoda proaktive, në koordinim me Prokurorinë e Gjirokastrës, për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të disa shtetasve të përfshirë në falsifikim të dokumenteve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizuan operacionin e koduar “Autenticiteti”, gjatë të cilit u arrestuan shtetasit A. G., 51 vjeç, banues në Gjirokastër, V. V., 45 vjeç, banues në fshatin Nepravishtë dhe E. P., 38 vjeç, banues në Sarandë.

-Nga hetimet dyshohet se shtetasi A. G., administrator i një subjekti për transport ndërkombëtar mallrash (për të tretë dhe/ose me qira), kishte pajisur 16 kamionët e subjektit, me certifikata të dyshuara të falsifikuara, nëpërmjet të cilave autorizohej kryerja e kësaj veprimtarie tregtare. Gjatë kontrollit në subjekt, u gjetën dhe u sekuestruan 16 dokumentet;

-Nga kontrolli në banesat e 2 të arrestuarve të tjerë, u gjetën në secilën, 1 diplomë dhe 1 listë notash, të dyshuara të falsifikuara. 4 dokumentet u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.

Vijon hetimi, me qëllim nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme.