DVP Fier
Vihen në pranga 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale, 2 prej të cilëve të shpallur në kërkim.
Fier/Kapen 2 shtetas të shpallur në kërkim, një për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe një për falsifikim të dokumenteve.
Lushnjë/Plagosi me thikë një shtetas, identifikohet dhe arrestohet në flagrancë autori.
Lushnjë/Zbardhet vjedhja në një banesë në fshatin Kolonjë, ndalohet autori i dyshuar.
•Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin Operacional në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, kapën shtetasin A. Xh., 48 vjeç, banues në Dërmënas, Fier.
Për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë Berat, me vendimin e datës 20.10.2020, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.
48-vjeçari iu dorëzua shërbimeve të Komisariatit të Policisë Berat, për veprime të mëtejshme.
•Gjithashtu, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier u kap dhe u ndalua shtetasi Xh. B., 52 vjeç, banues në Fier, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me vendimin e datës 15.01.2020, e ka dënuar me 4 muaj burg, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”.
•Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, pas marrjes së njoftimit se në spitalin e Lushnjës kishte shkuar i plagosur me thikë një shtetas, menjëherë është organizuar puna dhe është bërë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar, shtetasit N. S., 29 vjeç, banues në Lushnjë. Ky shtetas, në lagjen “18 Tetori”, ka plagosur për motive të dobëta, me mjet prerës (thikë), shtetasin L. K., 56 vjeç, banues në Lushnjë, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
U sekuestrua në cilësinë e provës materiale mjeti prerës me të cilën 29-vjeçari ka goditur shtetasin L. K.
•Në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjeve të ndodhura më parë, pas një pune hetimore nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë, në bashkëpunim me Prokurorinë Lushnjë, u bë e mundur zbardhja e vjedhjes në banesën e shtetasit A. V., në fshatin Kolonjë, në vitin 2013. Si rezultat i punës hetimore u ndalua autori i dyshuar, shtetasi M. Sh., 43 vjeç, banues në Berat, i cili ka vjedhur në banesën e shtetasit A. V., shumën 2.050.000 lekë të rinj dhe 2 televizorë.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.