DVP Elbasan
U konfliktua fizikisht me 3 shtetas (vëllezër), për motive të dobëta, në ambientet e një lokali, kapet dhe vihet në pranga 28-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një konflikt mes disa shtetasve, në ambientet e një lokali, në lagjen “5 Maji”, kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në këtë adresë, me qëllim sqarimin e rrethanave të konfliktit dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve përgjegjës.
Si rezultat i veprimeve të shpejta policore u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit O. S., 28 vjeç, banues në Elbasan, pasi duke qenë në gjendje të dehur, në ambientet e lokalit, është konfliktuar fizikisht, për motive të dobëta, me shtetasit I. M., A. M. dhe B. M. (vëllezër), si dhe ka thyer xhamin e derës së këtij lokali. Gjithashtu, në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 3 shtetasit e tjerë të përfshirë në konflikt, I. M., 31 vjeç, A. M., 22 vjeç dhe B. M., 33 vjeç, banues në Elbasan.
Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale për aksidentin e ndodhur mbrëmjen e djeshme, në aksin rrugor “Elbasan-Librazhd”, arrestuan shtetasin C. M., 32 vjeç, banues në Krujë, pasi me automjetin që drejtonte, ka përplasur motomjetin me drejtues shtetasin B. A., 40 vjeç, banues në Elbasan. Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar shtetasi B. A. dhe 2 pasagjerë në automjetin që drejtonte shtetasi C. M., të cilët janë në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin K. T., 61 vjeç, banues në Elbasan, pasi nga verifikimet e kryera në bashkëpunim me punonjësit e OSHEE-së, u konstatuan lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, në banesën e tij.
Po nga këta specialistë u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit D. S., 30 vjeç dhe G. Q., 50 vjeç, pasi janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjerin, për motive të dobëta.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Cërrik referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. M., 34 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses së tij.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.