Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, për lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e personave të shpallur në kërkim.
Arrestohet një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimi drejt Italisë.
Kapen dhe ndalohen 3 shtetas të tjerë të shpallur në kërkim kombëtar për vepra të ndryshme penale.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin, pas një pune të mirorganizuar, lokalizuan, kapën dhe arrestuan përkohësisht, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, shtetasin shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar:
• P. H., 34 vjeç, banues në Peqin.
Kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Brescias, Itali, në datën 26.02.2020, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal italian.
Veprimet e mëtejshme për këtë shtetas do të kryhen nga Zyra e Interpolit Tiranë.
Në vijim të punës për kapjen dhe ndalimin e personave të shpallur në kërkim kombëtar, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan kapën dhe ndaluan shtetasin:
• F. H., 38 vjeç, banues në Elbasan, pasi më datë 13.02.2021, në lagjen “Shënkoll”, Elbasan, nën kërcënimin e një arme zjarri pistolet dhe të një mjeti të mprehtë (thikë), ka vjedhur një market në pronësi të shtetasit F. H.
Specilaistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Librazhd kapën dhe ndaluan shtetasit:
• A. Ç., 31 vjeç, banues në fshatin Polis, Librazhd, të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan e ka dënuar me 1 vit burg për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi gjatë një konflikti ka ushtruar dhunë fizike ndaj xhaxhit të tij.
• Sh. A., 28 vjeç, banues në fshatin Polis, Librazhd, të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan e ka dënuar me 4 muaj burg për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”, pasi gjatë kohës që punonjësit e Policisë kanë qenë duke ekzekutuar vendimin penal për një të afërm të tij, ai ka kundërshtuar punonjësit e Policisë.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Gramsh, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Peqin dhe Shijak, kapën dhe ndaluan shtetasin:
• E.K., 38 vjeç, banues në fshatin Kotorr, Gramsh, pasi Gjykata e Apelit Durrës ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Prodhim dhe shitjen e lëndëve narkotike”.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.