DVP Durrës – Vihen në pranga 2 shtetas, procedohen penalisht 4 të tjerë

DVP Durrës

Penguan qarkullimin e mjeteve duke organizuar protestë të paligjshme, procedohen penalisht 3 shtetas.

Manzë/Goditet një rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike, shpallen në kërkim 2 autorët e dyshuar.

Vihen në prangat e Policisë 2 shtetas dhe procedohet penalisht 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës proceduan penalisht për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, shtetasit A. M., 50 vjeç, banues në Skrapar, A. G.,52 vjeç, banues në Divjakë dhe Xh. D., 52 vjeç, banues në Shijak.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ditën e djeshme, rreth orës 16:30, në lagjen nr.4, Durrës, pasi janë njoftuar se udhëtimi i tyre me traget ishte anuluar, kanë organizuar protestë në mënyrë të paligjshme, me pasagjerët e linjës, duke bllokuar lëvizjen e mjeteve në rrugë.
Nga strukturat e DVP Durrës vijojnë hetimet për pronarët e kësaj linje udhëtimi, pasi nuk i kanë lajmëruar në kohë pasagjerët e tyre, për anulimin e udhëtimit.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Stacionit të Policisë Manzë, si rezultat i kontrollit në territor, kanë evidentuar dhe goditur një rast të tentativës për kultivim të kanabisit në Kodër Draç, Njësia Administrative Ishëm, Durrës.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Manzë bënë shpalljen në kërkim të shtetasve F. V., 49 vjeçe dhe K. V., 25 vjeç (nënë e djalë), banues në Kodër Draç, Ishëm, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në një sipërfaqe toke në pronësi të tyre, shërbimet e Policisë kanë gjetur të kultivuar fidanë të dyshuar cannabis sativa.

Po nga specialistët e Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës u arrestua në flagrancë shtetasin F. U., 27 vjeç, si dhe u procedua penalisht nëna e tij, shtetasja Z. U., 56 vjeçe, pasi kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së shtetasit F. U.

Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, specialistët e Komisariatit të Policisë Krujë kanë ndaluar me iniciativë shtetasin R. L., 35 vjeç, banues në Yzberisht, Tiranë (i kapur nga shërbimet e Komisariatit të Policisë nr.6, Tiranë), i shpallur në kërkim policor për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.