DVP Durrës – Finalizohet operacioni i koduar “Vëllazërimi”

Policia e Durrësit kontrolle të befasishme për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri me vete.

Finalizohet operacioni i koduar “Vllazërimi”, për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje.

Në kuadër të këtij operacioni arrestohen në flagrancë 2 shtetas 17-vjeçar, të cilët qarkullonin me armë zjarri në makinë.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri kallashnikov, 1 pushkë, municion luftarak si dhe automjeti me të cilin po qarkullonin.

Në zbatim të Planit të Masave nga Drejtoria e Përgjithshme së Shtetit “Për kontrollin e territorit, parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e autorëve të veprave penale, personave që mbajnë armë zjarri pa leje dhe personave në kërkim”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës në bashkëpunim me strukturat Hetimore të DVP Durrës, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se 2 shtetas qarkullonin me armë zjarri në qytetin e Durrësit, kanë bërë të mundur finalizimin e operacionit të koduar “Vllazërimi”.

Shërbimet e Policisë mbrëmjen e djeshme në lagjen nr.17, Durrës, në rrugën “Vllazërimi”, kanë ndaluar mjetin tip “Benz” e cila dispononte targa të një automjeti tjetër, me drejtues shtetasin M. A., (i cili drejtonte mjetin pa leje drejtimi) dhe pasagjer shtetasin E. N.

Gjatë kontrollit të kryer në automjet, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri kallashnikov, 1 krëhër me 10 fishekë, 1 pushkë si dhe automjetin me të cilin këta shtetas po lëviznin.

Në vijim të veprimeve nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, arrestuan në flagrancë për veprat penale “Drejtimi mjetin në mënyrë të parregullt” dhe “Armëmbajtja pa leje” shtetasin M. A., 17 vjeç dhe për veprën penale “Armëmbajtja pa leje” shtetasin E. N., 17 vjeç.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.